Kosova
Debati mbi praninë ushtarake amerikane në Kosovë/ Wojcik: Mbetet kyçe për stabilitetin rajonal
Shtetet e Bashkuara mbeten shtylla kryesore e stabilitetit në Kosovë dhe çdo ndryshim i papritur në pozicionimin e trupave amerikane mund të krijojë pasiguri serioze dhe të hapë hapësirë për ndikime të jashtme destabilizuese.
Kështu ka deklaruar koloneli amerikan në pension Ray Wojcik në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.
Debati mbi praninë ushtarake amerikane në Kosovë u intensifikua këtë javë, pasi gazeta amerikane Politico, duke cituar katër diplomatë të NATO-s, raportoi se SHBA-ja po kërkon nga aleanca të reduktojë angazhimet e saj të jashtme, përfshirë edhe misionin paqeruajtës në Kosovë – KFOR. Aktualisht, në kuadër të këtij misioni shërbejnë rreth 590 trupa amerikane.
Megjithatë, një zyrtar i Pentagonit i ka thënë Radios Evropa e Lirë më 19 shkurt se “nuk ka për momentin asnjë ndryshim për t’u njoftuar në dislokimin e forcave”.
Sipas Wojcik, SHBA-ja është duke rishikuar pozicionimin e saj ushtarak global, me theks në forcimin e rolit të aleatëve evropianë të NATO në mbrojtjen kolektive të Evropës, ndërkohë që Uashingtoni synon t’i japë prioritet Paqësorit dhe Hemisferës Perëndimore. Në këtë kuadër, ai tha se janë të pritshme ndryshime graduale në dislokimin e forcave amerikane në Evropë, por vetëm nëse plotësohen kushtet e duhura të sigurisë.
Megjithatë, Wojcik paralajmëroi se çdo tërheqje e papritur e trupave amerikane apo aleate do të ishte gabim serioz.
Ai kujtoi tërheqjen kaotike nga Afganistani në vitin 2021 dhe sulmin e paramilitarëve serbë ndaj Policisë së Kosovës në vitin 2023, duke nënvizuar se një reduktim i madh i trupave amerikane do të ndikonte veçanërisht në aftësinë e KFOR-it për të parandaluar krizat dhe për të reaguar shpejt në situata emergjente.
Sipas tij, rreziku do të ishte edhe më i madh nëse reduktimet do të përfshinin kapacitete kyçe amerikane.
Sipas tij, prania ushtarake amerikane në Kosovë ka një vlerë të madhe parandaluese, përtej numrit të trupave në terren, pasi dërgon një sinjal të qartë për angazhimin strategjik të SHBA-së dhe rrit koston e çdo veprimi destabilizues nga aktorët rajonalë.
Ai theksoi se, në afatgjatë, anëtarësimi i Kosovës në NATO do të ishte garancia më e fortë për stabilitetin e qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor, ndonëse një hap i tillë kërkon kohë dhe konsensus politik mes vendeve anëtare.