Politike
Debati për Portin e Durrësit/ Rama: ‘Esatët’ janë ende mes nesh
TIRANË- Për rreth 1 orë pati debate të ashpra në Kuvend për minutat që i ishin caktuar deputetëve të Rithemelimit për të diskutuar lidhur me projektin e Portit të Durrësit. Rithemelimi kërkoi kohë të palimituar ndërsa mazhoranca kishte vendosur fillimisht 6 orë. Kërkesa për debat me kohë të pakufizuar u refuzua dhe ish kryeministri Sali Berisha, i cili duket se e ka kthyer në skenar të zakonshëm bllokimin e Foltores, zgjodhi të dalë LIVE në Facebook. Ashtu sikurse herën e fundit, Berisha pretendon se po i marrin kohën deputetëve të Rithemelimit dhe se kryetarja e Kuvendit po ndan deputetët në kategorinë 1 dhe 2. Por pas tensioneve dhe zaptimit të Foltores nga Berisha dhe besnikët e Rithemelimit, mazhoranca vendosi që të mblidhet Konferenca e Kryetarëve që miratoi kërkesës për debat me kohë të palimituar.
Rama: Ata që ju kanë njohur para se ta dinit që jeni gjallë ju kanë quajtur ‘gomarica’! Acarohet opozita, përplasin duart mbi tavolinë
Kryeministri Edi Rama nuk ka kursyer komentet ndaj opozitës duke iu referuar si ‘gomarica’. Kjo fjalë i ka acaruar, ndaj kanë reaguar duke përplasur duart mbi tavolinë.
“Porti më i madh i vendit hiqet që aty se s‘mund të rrijë në zemrën e një qyteti turistik se ndot ajrin, shkatërron turizmin. Duhet të ikë për t’ju përshtatur ambicieve të Shqipërisë si një vend i pozicionuar strategjikisht si porta më e rëndësishme hyrëse. Do bëhet Shqipëria porta hyrëse nga Ballkani Perëndimor. E kam thënë prej vitesh, i vetmi ndryshim sot është se tërë mëmëdhetarët pa dhe që vijnë vërdallë janë ndezur dhe hedhur në sulm frontal se tani e shikojnë që e kemi me gjithë mend, se do bëhen dhe ai turistik dhe ai komerciali, doni apo s’doni ju që kurrë mos daci. Megjithatë duhet ta them, s’po flas unë por disa të tjerë, thjesht po lexoj ata që ju kanë njohur më parë që as ju nuk e dinit që ishit gjallë. Gomaricat e Faik Beut ju kanë quajtur gomarica”, tha Rama.
Rama-opozitës: Hapni sytë! Nëse s’do linit sipërmarrësin të shkonte në Mal të Zi, nuk do investonim sot 10-fish më shumë për portin e Durrësit
Kryeministri Edi Rama ka kthyer në vëmendje një sipërmarrës që erdhi në kohën kur vendi drejtohej nga PD për të investuar në Portin e Durrësit, por pretendon se qeveria e asaj kohe kërkoi që ‘të ndanin shaminë përgjysmë’.
Kështu sipërmarrësi shkoi në Mal të Zi ku ndryshoi ‘Porto Montenegro’ çka solli rritje të pagave dhe përmirësim të të ardhurave të vendit.
“Ne jemi krenarë për kontratën që e sjellim për votim në Kuvend. Do të kemi kohë të përballim dokrrat. Dikur në kohën kur në Shqipëri sapo kishte nisur të qeveriste Napoleoni i gjirizave, zbriti një Piter Pan. Njeriu i duhur në kohën dhe vendin e duhur që ra mes minjve të gjirizit që kërkuan të kërcejnë napoleonin me shaminë përgjysmë. Ishte diku viti 2006. Iku me të katra sipërmarrësi për në Mal të Zi që ndryshoi përgjithmonë vendin fqinj me Porto Montenegro. Shihni bilancat e pagesës në Mal të Zi. Atje pati rritje të ndjeshme të rrogave në sektorin privat dhe publik. Hapni sytë. Po ç’ti hapni sytë, s’ju lë mallkimi që keni mision. Ai investim ishte 10 herë më i vogël se ky që do të bëjmë ne për Durrësin që nëse s’do ishte trajtuar si lodër në duart e tyre të pista, do kishim prej vitesh portin turistik dhe shqiptarët do kishin të mirat dhe të ardhurat e mëdha që do i sillte vendit tonë, jo Malit të Zi”, tha Rama.
Rama-opozitës: Jeni si gomaricat e Faik Beut, hiqni gozhdën ju mbetet vrima! Hidhuni përpjetë, Durrësit s’ja hiqni dot investimin strategjik
I ashpër ka qenë Edi Rama në përgjigjen e tij kundër opozitës për sa i përket debatit për Portin e Durrësit. Rama shtoi se porti i Durrësi është si një platformë e zezë si fytyra e atyre që përndjekin Shqipërinë që prej 1912
“Shqiptarët dhe durrsakët do të kishin të ardhura të mëdha, bilanci i pagesave do të ishte influencuar për mirë. Po më mirë vonë se kurrë dhe ja, vonë, por do të kemi një investim në masë dhe në impakt ekonomik sesa Porto Montenegro. E kam të vështirë të gjej paqen, nuk keni si ta dini sesi njeriu mund të jetë krejt ndryshe nga ju.
Punët janë të ndyra të ashpra. Jeni mësuar të vini vërdallë si gomaricat e Faikut. Si luftoni për darën ju o trima, kur shkulni gozhdën ju mbetet vrima. A do qumësht a do dhallë, gomaricat vijnë vërdallë. Dandi Dandi, kandi randi, rroftë e qoftë Salillandi.
Rroftë soji dhe sorrollopi i gomaricave politik dhe mediatik të mblidhen dhe të hidhen përpjetë dhe nuk ka shans që t’ja heqë njeri Durrësit këtij investim strategjik”, deklaroi Rama.
Akuzat për portin e Durrësit, Rama: Do jetë motori ekonomik, 8 mld euro vlera në PBB
Akuzave për portin e Durrësit kryeministri Edi Rama i është përgjigjur opozitës se porti do të jetë një motor ekonomie që do të sjellë një vlerë prej mld euro në PBB.
“Ka 110 vjet që lodër është e shkreta Shqipëri për anadollakët që ndryshojnë fytyrë e emra dhe vazhdojnë akoma me ato. Po na marrin portin thonë, portin antik, me partnerë në taksa fiskale , kompania e vëllezërve Karriç, me Lul Bravën që pastron paratë e të tilla gjëra…
Duan pak fjalë të urta e punë shumë…
Ju pleksni çdo punë të Shqipërisë me punët tuaja të shtrembëra. Bisedat e panumërta bindëse, me Muhamend Alabarin, ende i penguar nga perçja e komunikimeve të vjetra. Puna e gjithanshme e një batalione me njerëz për formatin e bashkëpunimit për dizenjimin e një porti spektakolar për Mesdheun. Në fund janë pranuar vetëm 5 nga 35 kërkesat e kërkuara. Ne këmbëngulëm pa pushim për atë që kërkonin që në fillim. Deri te marrëveshja e projektit më të madh të huaj që është bërë ndonjëherë. Ai do jetë motor ekonomik. Do të sjellë një fond me 8 mld euro PBB, do ngrejë vlerën e të gjitha hoteleve të Durrësit dhe në atë perçe paragjykimesh që ju nuk lini dy gurë bashkë.- tha Rama.
FOTO/ Rama flet për Portin e Durrësit, Dash Sula i ‘përgjigjet’ me foton e deputetëve të PS te Nusreti në Dubai
Teksa kryeministri Edi Rama ishte duke folur në Kuvend për projektin e Portit të Durrësit, deputeti demokrat Dash Sula iu përgjigj me foton e deputetëve të PS teksa kanë qenë duke ngrenë tek restoranti i famshëm i Nusretit në Dubai.
Rama: Po numëroj orët që të votohet marrëveshja për investimin më të madh të huaj në vend! Porti akutal është skandal mjedisor
Nga Foltorja e Kuvendit, Kryeministri Edi Rama thotë se mezi pret që të votohet projekti i portit të Durrësit për investimin më të madh të huaj në Shqipëri.
“Që të jemi të qartë se për çfarë do të flasim sot. Një port si mesjetë ku tregtohet krom si në Mesjetë, ku lulëzojnë sipërfaqet e ndryshkut dhe kalben mjetet e vdekura lundruese, shtrihen mijëra metra katror ferra dhe qytet turistik. Kur dëgjon ju dhe shikon këto pamje, e kupton pse jeni të shqetësuar. Ky port është një skandal mjedisor, gërrhitje teknologjike, një plagë urbane nga e cila rrjedh pisllëk prej dekadash. Është ndërfaqja e sotme e asaj zonës kancerogjene, atij malit me plehra e derra të zhdukur në Porto Romano. Njësoj si ai mal plehrash dhe kjo e ndotjes që s’ka lidhje me shekullin 21 dhe s’ka lidhje me turizmit duhet dhe do të zhduket nga faqja e dheut përgjithmonë.
Ne na ka sjellë në këtë ditë ku personalisht jo vetëm is kryeministër por dhe si deputet, me shumë deputet dhe gëzim po numëroj orët që të votohet marrëveshja për investimin më të madh të huaj në vendin tonë. Do e kthejë Portin e Durrësit nga një platformë të zezë si surrati i atyre që e ndjekin Shqipërinë në 1912 në një nga protete më të mëdha në rajon. Kjo është dita për të dhënë disa përgjigje, të një mallkimi dhe poshtërsie të vjetër. Ka 110 vjet që lodër është e shkreta Shqipëri, dhe janë këta shëmbëlltyra e një mallkimi të vjetër”, tha Rama.
Porti i Durrësit, Ibrahimaj: Më i madhi në rajon, tokën s’po ja falim investitorit! Për herë të parë qeveria aksionere, hapim 12 mijë vende pune
Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj ka prezantuar në Kuvend marrëveshjen e Portit të Durrësit. Ibrahimaj i ktheu përgjigje akuzave të opozitës duke theksuar se toka ku do të ndërtohet projekti nuk do t’i jepet investitorit, por do t’i mbetet shtetit. Ibrahaimaj tha se ky port do të jetë më i madhi në rajon dhe do të hapen 12 mijë vende pune.
Ministrja shtoi se për herë të parë shteti është aksioner në një investim të tillë dhe se ka të drejtën e vetos për çështje shumë të rëndësishme.
Ibrahimaj theksoi se porti tregtar i Durrësit nuk do mbyllet, pasi faza e parë e punimeve nuk e prek. Kur të nisë faza e dytë e projektit, porti tregtar do të zhvendoset në atë të Porto Romanos.
“Të prezantoj projekti më madhor në Shqipëri, për marinën turistike dhe zhvillimin e ballinë ujore të Portit të Durrësit. Me keqardhje si qytetare shoh që ky nuk është një debat, është një dashakeqësi, tymnajë jo gjysmë të vërtetash siç jemi mësuar të dëgjojmë, po gënjeshtrash që kërkohet ti serviren qytetarëve si biseda kafenesh. Ne prezantojmë një projekt që është dëshmi i atraktiviteit të ekonomisë shqiptare. Ky nuk vjen i vetëm, investimet e huaja në Shqipëri janë rritur me 35% në krahasim me një vit më parë.
Ky projekt nuk është vetëm më i madhi në Shqipëri, por në rajon me vlerë 2.1 mld euro. Nëpërmjet këtij projekti synohet të krijohen 12 mijë vende pune. Fillimisht me zhvillimin e zonës dhe më pas me krijimin e punës. Të rivitalzipojmë zonën, përmirësimin e infrastrukturës, ofrimin e shërbimeve sociale, zhvillimin e artit dhe kulturës në një mjedis turizmi elitar.
Pse Durrësi? Durrësi e meriton dhe justfikon këtë injektim të investimeve sepse me gjithë pushtimet, luftërat apo tërmetet Durrësi vazhdon i ringritur. Do vazhdojë të jetë edhe nesër me i bukur dhe më i begatë.
Këta harrojnë se ca i kanë bërë vendit, ekonomisë, skemat piramidale, shitjet e aseteve shtetërore, faljen e asteve në këmbim të TVSH, periudhat kur ndodhën të zezat e gërdecit dhe 21 janarit. harrojnë sesi e kanë falur interesin publik për hir të interesave personale. Ne sjellim para jush një kontratë të mirënegocuar që përkthehet në zhvillim ekonomik, me rëndësi rajonale dhe kombëtare. Ne kemi negociuar për më shumë se një vit, dhe nga 33 kërkesa të investitorit kemi pranuar vetëm 5. Shteti do jetë aksioner me 33% dhe nuk do ndryshojnë në asnjë moment dhe ne kemi të drejtën e vetos për çdo vendimmarrje të rëndësishme. Nuk ka asnjë përjashtim nga TVSH, kontributet. 1.1 mld euro që do arkëtohen në formën e taksave në 20 vitet e ardhshme. Toka as nuk falet dhe as nuk shitet. Procedura Projekti i parë që qeveria bëhet aksionere.
Nuk po e mbyllim portin e Durrësit. Nga punimet fillestare nuk preket, është faza e dytë e punimeve që do nisë pasi të jetë ndërtuar baza në Porto Romano. Kemi të bëjmë me krijimin e një zinxhiri të vlerës së shtuar ekonomike”, tha Ibrahimaj.