Bota
Debati Trump-Zelensky bëhet viral në internet, mbi 150 milionë klikime në X

Debati mes Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky në Zyrën Ovale u bë virale në rrjetin social X, në pronësi të Elon Musk. Brenda vetëm një ore nga momenti kur presidentit ukrainas iu kërkua të largohej nga Shtëpia e Bardhë, klipi arriti miliona shikime në median sociale.
Edhe pse është e vështirë të përcaktohet numri i saktë i shikimeve, duke marrë parasysh variantet e ndryshme të videos dhe këndvështrimet e publikuara, disa të dhëna tregojnë një impakt të madh.
Eksperti i mediave sociale, Franz Russo, vlerëson se klipi i parë, i publikuar nga rrjeti amerikan C-Span, ka tejkaluar 30 milionë shikime në X, kryesisht falë shpërndarjeve nga llogari të ndjekura gjerësisht.
“Në veçanti, një klip i postuar nga vetë Musk ka arritur 89 milionë shikime. Duke marrë parasysh edhe shpërndarjet e tjera dhe mundësinë e mbivendosjeve, mund të thuhet se totali i shikimeve në X e ka kaluar 150 milionë,” shpjegon Russo.
Edhe mediat ndërkombëtare kanë kontribuar në shpërndarjen e videos, duke arritur mbi 10 milionë shikime brenda disa orësh në rrjete sociale të ndryshme.
Në YouTube, megjithatë, impakti ka qenë më i ulët. Analiza tregon se videoja e publikuar nga Fox News ka marrë rreth 1.5 milionë shikime, ndërsa ajo e “The Telegraph” ka arritur në 2.8 milionë.
“Është interesante të shihet sesi X po i tejkalon platforma të specializuara si YouTube për sa i përket shpejtësisë dhe volumit të shikimeve në raste të tilla. Kjo tregon rëndësinë në rritje të X për Musk dhe, në këtë moment historik, për Trump,” përfundon Russo.

