Aktualitet
Dëbora “pushton’ vendin/ Qindra familje pa energji elektrike, çfarë do ndodhë në ditët në vijim
Vendi ynë prej ditës së djeshme ka qenë nën ndikimin e motit të keq, ku për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe të dëborës u bllokuan disa nga rrugët kyçe. Autoriteti rrugor Shqiptar ka apeluar drejtuesvë të tregojnë kujdes dhe të pajisen me goma dinërore dhe zinxhir kur udhëtojnë në zonat malore me prezencë dëborë. ARRSH bën me dije se reshjet e shiut kanë përfshirë zonën veriore gjatë mbrëmjes së djeshme, ndërsa në zonën juglindore vijojnë reshjet e dëborës shoqëruar edhe me rënie të temperaturave nën 0 °C.
Rajoni Verior
Rruga e Arbrit që është dhe një nga akset më problematike gjithmonë kur ka reshje shiu ose dëborë ne vend është hapur, por qarkullimi është i mundur vetëm me zinxhir. Gjatë ditës së djeshme, qindra automjete u bllokuan për orë të tëra. Po ashtu edhe Qafshtama është mbuluar nga dëbora, por nuk raportohet për probleme në qarkullim.
ARRSH njofton se në akset Bajram Curri-Valbonë, Ura e Zapodit-Shishtavec, Pukë-Fushë Arrëz-Kalimash, Kukës-Bushtricë, Kukes-Krumë, Hani i Hotit-Tamarë, Tamarë-Vermosh, Bogë-Theth, Qafë Mali -Fierzë, Ura Bujan-Qafë Morinë gjatë natës ka pasur reshje dëbore me intensitet të lartë, ndërsa mjetet borëpastruese ndodhen në terren, për të zhbllokuar rrugët.
Rajoni Qendror
Përsa i përket rajonit Qendër-Perëndim, nuk raportohet për probleme në qarkullim, ndërsa në akset Krujë-Sarisalltik dhe trau Dajt-Teleferik, si edhe në Llogara, mjetet borëpastruese janë në terren.
Rajoni Jugor
Edhe në Rajonin Jugor në vend sidomos në akset Korçë-Ersekë, Bobshticë-Dardhë, Voskopojë, Qafë Thanë raportohet për vazhdimësi të reshjeve të dëborës, ndërsa në terren janë borëpastrueset dhe nuk raportohet për probleme.
Zonat me probleme të energjisë elektike
Për shkak të reshjeve të shumta të dëborës në qarkun e Korçës prej ditës së djeshme janë 384 familje pa energji elektrike. Po ashtu probleme me energjinë elektrike raportohen dhe në qarkun e Dibrës.
Parashikimi i Motit për ditët në vijim:
Nga ana tjetër, meterologia Tanja Porja tha se nuk do të ketë reshje natën e ndërrimit të viteve më 31 dhjetor deri në datën 2 janar 2025. Më tej, Porja shtoi se ky do të jetë një dimër i ftohtë, ku pritet acar në janar dhe në shkurt të vitit 2025, por moti i keq mund të vazhdojë dhe deri në mars.
“Dy dhjetorët e kaluar kanë qenë shumë më të ngrohtë se dikur. Kanë patur edhe reshje në dhjetor. Sepse në këtë dekadë 5 vitet e parë kanë kaluar edhe me zero reshje, një gjë e rrallë. Ky dhjetor ka qenë shumë i pasur me reshje.
31 do të jetë… të paktën deri në datën 2 janar nuk priten reshje. Nëse do të ketë vetëm gjëra të vogla dhe krejt të parëndësishme. Në Tiranë mund të zbresë deri në 0, por jo më poshtë se 0 gradë celcius.
E kemi thënë edhe në parashikimin tonë mujor se ky dhjetor do të ketë tiparet e një dhjetori klasik, shumë afër motit të dhjetorit që ne mbajmë mend në fëmijërinë tonë. Mesditat kanë bërë ndryshimin, sepse temperaturat kanë qenë 3-4 gradë më të larta se ato mesatare. Dimrin e vërtetë e presim në janar, shkurt, pse jo edhe në mars. Pra është hyrja për në dimër ky dhjetor. Pritet një janar dhe një shkurt i egër”, tha Porja.