Aktualitet
Defekt në det, shpëtohet anija me tre persona në bord
Një anije me tre persona në bord është shpëtuar në det. Drejtoria e Përgjithshme Detare ka bërë me dije se kanë marrë thirrje në orën 02:50 që anija e peshkimit tip fllug me emrin MAKAJ 0624, me 3 persona në bord, kishte pësuar defekt në sistemin elektrik të motorit.
“Kapiteneria e Portit Vlorë në orën 02:50 ka marrë njoftimin nga anija e peshkimit tip fllug me emrin MAKAJ 0624, me 3 persona në bord, që ka pësuar avari në sistemin elektrik të motorrit dhe nuk mund të lundrojë pasi i është fikur motori, gjithashtu bën ujë nga aksi i helikës.
Mjeti lundrues ndodhej në veri të derdhjes të lumit Seman në këto kordinata: 40° 51′ 17.7″n / 019° 17′ 54.3 edhe ka kërkuar asistencë. Kapiteneria e Portit Vlorë ka njoftuar QNOD DHE Policinë Kufitare për situatën duke i dhënë ndihmë menjëherë mjetit. Aktualisht mjeti po lundron i asistuar drejt Triportit Vlorë.”, thuhet në njoftim.