Shkrime
Deklarata ‘bombë’ e Enver Bytyçit për presidentin serb
Sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçit, blerja e raketave amerikane “Javeline” nga ana e Kosovës është ndoshta ngjarja më e madhe e vitit.
“Jo se ato raketa janë gjithçka për të garantuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, por se vendimi I SHBA-ve për këtë, është dëshmi e mbështetjes së saj kulmore për lirinë, pavarësinë, shtetësinë dhe integritetin territorial të saj. Nuk ka akt tjetër më domethënës, por ndihmës për krijimin e ushtrisë, që ta ketë dëshmuar një përkushtim amerikan kaq të vendosur në përkrahje të shtetit më të ri europian, si dhe të paqes e sigurisë në rajon” – eshte shprehur Bytyçi.
Siç tha ai, raketat “Javeline” forcojnë mbrojtjen e Kosovës, sidomos nga sulmet me tanke nga ana e Serbisë, duke mos përjashtuar një konflikt të armatosur.
“Them e Serbisë, sepse i vetmi vend në rajon e më gjerë është Serbia ajo që e kërcënon Kosovën me luftë dhe agresion, njësoj siç bëri Vladimir Putin me Ukrainën. A do të jetë Kosova, Ukraina e radhës, si viktimë e Rusisë dhe e Serbisë? Duhet parë, duhet pritur deri nga muaji mars. Por nëse Serbia nuk nënshkruan Marrëveshjen e Brukselit të shkurtit dhe aneksin e Ohrit të marsit 2023, atëherë kjo do të thotë se marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë do të përkeqësohen. Përkeqësimi nuk dihet se çfarë pasojash ka. Pra janë kushtet objektive për një konflikt të armatosur”, theksoi Bytyçi.
Por a do të mund ta ndërmarrë këtë akt Beogradi?
“Edhe Milosheviçi po ta besonte se NATO ishte e vendosur për ta ndëshkuar Serbinë, nëse bëhej spastrim etnik në Kosovë, do të ishte rezervuar në aventurën e tij anti-shqiptare. Elitat kur vendosin të nisin luftëra jetojnë në ekstazën e fitores.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçic, ka punuar prej dhjetë vitesh të përgatitë terrenin e euforisë për kombin e tij dhe “botën serbe”! Ai me mediat dhe propagandën e vet ka ushqyer diktrinën e ultranacionalizmit serb, njësoj si edhe ish-shefi I tij, kasapi I Ballkanit, Sllobodan Milosheviç. Prandaj dhe serbët po përgatisin me eufori “fitoren” në Kosovë. Kjo I bën ata të nisin Aventura si ajo e Milosheviçit në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci. Prandaj dhe duhet besuar se Serbia po shkon drejt një konfrontimi me Kosovën dhe jo vetëm më Kosovën” – theksoi Bytyçi, duke shtuar se raketat “Javeline” në Kosovë janë shprehje e këtij shqetësimi amerikan dhe përtej amerikan.
“Një konflikt në Ballkan do ta destabilizonte vetë Europën dhe NATO-n. SHBA dhe vendet europiane nuk mund të pranojnë që Rusia të dalë në Detin Adriatik. Shpesh thuhet se është Serbia ajo që dëshiron një dalje në këtë det. Por në fakt dalja e Serbisë do të thotë dalje në Adriatik e Rusisë, madje me një bazë ushtarake të fuqishme ndoshta bërthamore. Në këto kushte nuk ka rrugë tjetër, përveçse forcimi i ushtrisë së Kosovës dhe të ushtrive të tjera të vendeve pro-perëndimore, si ajo e Shqipërisë. Por Kosova ka disa avantazhe. Policia dhe ushtria e Kosovës kanë dëshmuar dhe po dëshmojnë profesionalizëm dhe përkushtim, të cilin e admirojnë edhe vende të fuqishme e madje Fuqi të Mëdha. Jo rastësisht Britania e Madhe hoqi vizat për personelin ushtarak, policer dhe të forcave të sigurisë në Kosovë. Dhe jo rastësisht specialistë dhe ekspertë të ushtrisë së Kosovës shkuan në Londër për të trajnuar oficerët dhe ushtarët e Ukrainës për përdorimin e armëve të sofistikuara në luftën kundër Rusisë”- shpjegoi Bytyçi.
“Kosova po dëshmon më shumë se çdo vend tjetër në rajon se është e aftë të marrë përgjegjësi të plotë për të garantuar paqen dhe sigurinë rajonale dhe europiane dhe jo vetëm për të mbrojtur tërësinë territorial të vendit. Takimi që pati dje presidentja Vjosa Osmani me komandantin e KFOR-it kishte për qëllim koordinimin e veprimeve në mbrojtje të territorit të Kosovës.
Kjo do të thotë se rreziku i një agresioni serb të sponsorizuar dhe mbështetur nga Moska kundër këtij territori është shumë i madh. Veçanërisht muajt e parë të pranverës përdoren për agresione të tilla” – potencoi profesori
Bytyçi tha se dështimi i sulmit terrorist më 24 shtator të vitit të kaluar në veri të Kosovës, ka bërë që ushtria serbe të hartojë një plan të ri për agresion ushtarak ndaj Kosovës.
“Natyrisht që Beogradi do të donte që Kosovën ta ndante përmes ndonjë destabilizimi të brendshëm. Por dështimi i kësaj skeme që u përdor edhe në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar, ka bërë që shtabi i Përgjithshëm përmes urdhrit të presidentit Vuçic të hartojë edhe skemën e një përballjeje të drejtpërdrejtë me agresion ushtarak. Njësitë ushtarake serbe që janë grumbulluar dhe qëndrojnë në gatishmëri në kufi me Kosovën nuk janë aty thjesht për presion dhe diversion. Ato janë trajnuar për një agresion të hapur. SHBA-të me lëvrimin e raketave anti-tank e kundërajror “Javeline” dhanë mesazhin se agresioni serb në Kosovë është i destinuar të dështojë. Me këtë veprim ato inkurajuan edhe më tepër ushtarët dhe oficerët e Ushtrisë dhe FSK-së që t’i përgjigjen me bindje në fitore agresorit” – deklaroi Bytyci, sipas te cilit – “Në Serbi dhe në Rusi ka ekspertë, të cilët mund të llogarisin se sa shumë ndihmë ushtarake do të përfitonte Kosova nga ana e SHBA-ve, Evropës dhe Turqisë, nëse vjen momenti I një agresioni serb kundër saj. Po të shtojmë këtu dhe angazhimin e NATO-s dhe KFOR-it, atëherë në Beograd bëhen akoma më të vetëdijshëm se në fund mund të mbetej vetëm Sanxhaku Beogradit si pjesë e Serbisë. Ajo do të ndëshkohej aq keq, sa shteti serb nuk do të kishte më asnjë mundësi të kërcënonte as edhe një batalion apo fshat të vendeve fqinjë” – deklaroi profesori i marredhenieve europiane