Kosova
Deklarata e Lavrov-it kundrejt Kosovës shkakton reagime të shumta
Deklarata e ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov, se në Kosovë po bëhet “spastrim etnik” ndaj komunitetit serb, ka shkaktuar reagime të shumta.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, një deklaratë të tillë të Lavrov-it e ka cilësuar si propagandë të Rusisë e Serbisë me qëllim minimin e institucioneve euro-atlantike dhe rrjedhimisht destabilizimin e Kosovës.
“Krahasimi i Lavrov-it është luftë hibride e pastër. Këto sulme nuk kanë në shënjestër vetëm Kosovën, por paqen dhe stabilitetin e rajonit”, shkroi Hoxhaj në platformën sociale, X.
Në anën tjetër Drejtori i Iniciativës Evropiane për Stabilitet (ESI), Gerald Knaus, duke komentuar deklarataën e Lavrov-it tha se verbëria e Perëndimit, për këtë rast, është “e jashtëzakonshme”.
“Të njëjtat gënjeshtra si ato që përgatitën agresionin e Putinit kundër Ukrainës”, shkroi ai në platformën sociale, X.
Ndaj deklaratave të Lavrov-it të enjten po ashtu ka reaguar edhe Ivana Stradner, specialiste në fushën e sigurisë dhe informacionit, gjithashtu vëzhguese e vëmendshme e zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor.
Ajo vlerësoj se kjo deklaratë dëshmon se situata në Ballkanin Perëndimor ka filluar të nxehet, sërish.
“Lavrov sapo ka tha se ka ‘spastrim etnik’ të serbëve në Kosovë dhe e krahasoi atë me Donbasin. Pak ditë më parë, zëvendëskryeministri i Serbisë u takua me qeverinë ruse për të diskutuar për ‘spastrimin etnik’ në Kosovë. Mediat ruse dhe serbe kanë ndarë informacione se presidenti serb do të diskutojë ‘pushtimin e territorit serb’ dhe planet e mundshme për rikthimin e territorit”, shkroi ajo.