Kosova
Deklarata e Ramës për veriun e Kosovës, Vetëvendosje: Ftesë për grabitqarët e plaçkitësit
Anëtari i Lëvizjës Vetëvendosje Arbër Zaimi ka komentuar intervistën e kryeministrit Edi Rama, për Financial Times, ku theksoi se veriu i Kosovës është bërë toka e askujt. Zaimi në Facebok, ka shkruar se më këtë që ka thënë Rama i ka bërë ftesë grabitqarëve dhe plaçkitësve. Po ashtu Zaimi ka shtuar se zv/kryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, ndyshe nga Arben Ahmetaj nuk është në arrati, por në Bruksel për të ligjëruar mbi rrugën evropiane të Kosovës.
Postimi i Plotë:
Thënia se diçka është e askujt, është ftesë për grabitqarë e plaçkitës. Për gazetën me prestigj ndërkombëtar Financial Times kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka thënë se “Kosova është bërë me kalimin e viteve tokë e askujt” dhe se “kufiri që ndan krimin nga politika është zbehur”. Nuk duhet të humbasim durimin me të në këto kohë kur kërkohet unitet, por duhet t’i shpjegojmë se Kosova është tokë e popullit të saj, me mbi 93% shqiptarë e pjesa tjetër minoritete me të drejta të gjera e të thella. Kosova ka institucione shtetërore profesionale, të vlerësuara ndërkombëtarisht si demokratike, më të drejta e më të pakorruptuara se vendet fqinjë. E sa i përket kriminalitetit, Kosova ka kriminalitetin më të ulët në Ballkan, sipas monitoruesve ndërkombëtarë. Përshembull, që ta kuptojë më mirë Rama, zëvendëskryeministri i Kosovës sot nuk është në arrati prej drejtësisë të vendit të vet, por është në Bruksel si i ftuar, për të ligjëruar mbi rrugën evropiane të Kosovës.