Politike
Deklaratat e Berishës për zgjedhjet, eurodeputeti Michael Gahler: Do ta ndjek çështjen e Shqipërisë

– Delegacioni i Partisë Demokratike të Shqipërisë, i kryesuar nga Kryetari Sali Berisha, zhvilloi një takim me eurodeputetin Michael Gahler, drejtues i Misionit të Vëzhgimit të Parlamentit Europian për zgjedhjet parlamentare të 11 majit në Shqipëri dhe koordinator i grupit parlamentar të EPP në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian.
Berisha theksoi se përkushtimi i eurodeputetëve si Gahler për demokracinë, sundimin e ligjit dhe standardet zgjedhore është thelbësor për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Gjatë takimit, Berisha dhe Gahler ndanë shqetësimin për situatën në të cilën u zhvilluan zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Diskutimi u përqendrua në shqetësimin për përfshirjen e grupeve kriminale dhe karteleve të drogës në zgjedhje. Një tjetër temë e rëndësishme ishte manipulimi i votës së diasporës, ku u theksua se është shkelur e drejta kushtetuese e mijëra shqiptarëve jashtë vendit për të votuar lirshëm. Berisha theksoi përmasat e manipulimit të kësaj vote nga rrjeti i patronazhistëve të Partisë Socialiste dhe mungesën totale të transparencës në procesin e administrimit dhe numërimit të saj.
Ai nënvizoi se rezultati i zgjedhjeve nuk reflekton vullnetin e qytetarëve shqiptarë, dhe se opozita do të vazhdojë betejën e saj për transparencë dhe zbardhje të plotë të shkeljeve, përmes mbledhjes dhe dokumentimit të mijëra provave, që do t’u përcillen institucioneve të BE-së dhe organizmave ndërkombëtarë.
Ai kërkoi mbështetjen e Gahler dhe europarlamentarëve për sigurimin e votës së lirë në Shqipëri si themeli i çdo procesi demokratik dhe kusht për ecurinë e mëtejshme të vendit në rrugën e integrimit europian. Nga ana tjetër, PD njofton se Gahler garantoi se do të ndjekë çështjen e Shqipërisë me objektivitet dhe prioritet, në emër të misionit të tij, dhe se do të mbështesë çdo përpjekje për përmbushjen e standardeve demokratike dhe kritereve të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

