Kosova
Demokracia e Kurtit është kryesisht “në letër”/ Opinioni i Mimoza Gavranit
Analistja politike nga Prishtina, Mimoza Gavrani, ka komentuar deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, në të cilat ai mburret se Kosova është shtet demokratik, duke thënë se demokracia nuk duhet të jetë vetëm “në letër” dhe se ajo duhet të jetë e vlefshme për të gjitha komunitetet.
E pyetur se si i sheh mesazhet e Kurtit për gjendjen e demokracisë në Kosovë, respektimin e sundimit të ligjit dhe të drejtave të pakicave, në dritën e krizës në veri, Gavrani u shpreh se Kurti ka të drejtë, sepse Kosova e ka demokracinë ‘në letër’.
“Ne kemi ligjet më të mira dhe kjo është pozitive, një bazë e mirë, të cilën duhet të vazhdojmë ta zbatojmë si Kurti ashtu edhe ne nga shoqëria civile. Sepse ne të gjithë jetojmë këtu dhe duhet ta mbështesim këtë vend. Por demokracia duhet të jetë për të gjithë, jo vetem per një komunitet”.
Po ashtu Gavrani theksoi se është e rëndësishme që Kurti dhe pushtetarët të jenë të vetëdijshëm se ekzistojnë dokumente të shumta, 39 prej tyre, që Kosova duhet t’i zbatojë së bashku me Serbinë.
“Po ashtu është e rëndësishme që ne të kemi politika progresive në procesin e dialogut dhe jo vetëm të jemi të pranishëm në dialog. Duhet të shkojmë të përgatitur në ato takime dhe të jemi të gatshëm të marrim vendime të rëndësishme dhe të ndjeshme” – Theksoi Gavrani.