Politike
Dënimi i Salianjit, Bardhi propozon ngujimin në selinë blu
Partia Demokratike ka mbledhur sot grupin parlamentar të saj, për të diskutuar mbi dënimin e deputetit Ervin Salianji. Mësohet se kreu i grupit demokrat Gazment Bardhi, ka propozuar që Salianji të mos pranojë ekzekutimin e vendimit. Ndërkohë që ka theksuar se ata duhet që të ngujohen 24 orë pandërprerje dhe pa afat në selinë blu.
“Mos pranimin e padrejtësisë, grupi parlamentar t’i kërkojë Ervin Salianjit të mos ekzekutojë vendimin politik të Edi Ramës. Grupi Parlamentar të ngujohet 24 orë pa ndërprerje, pa afat, në selinë e Partisë Demokratike”, ishte propozimi i Gazment Bardhit në mbledhje.
Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi ditën e djeshme, 26 shtator 2024 vendimin për dënimin me 1 vit burg për deputetin demokrat Ervin Salianji. Salianji është dënuar së bashku me Albert Veliun, që pritet të vuaj dënimin me 10 muaj burg si dhe gazetarin Jetmir Olldashi me 100 orë punë komunitare. Apeli në vendimin e sotëm, ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë.
Shkalla e parë vendosi që Salianji të dënohet për kallëzim të rrëmë, në lidhje me një denoncim që ka bërë për vëllanë e ish-Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa, Agron Xhafa. Në audio-përgjimin që publikoi Salianji, thuhej se Agron Xhafa ishte pjesë e një rrjeti kriminal të trafikut të lëndëve narkotike.