Politike
“Dënohet” Ilir Meta/ Drejtoria e Burgjeve masë disiplinore ndaj kreut të PL-së: I ndalohet të stërvitet në burg për 10 ditë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi deklaroi gjatë një konference për shtyp se Drejtoria e Burgjeve ka marrë një masë disiplonore ndaj kreut të PL, Ilir Meta.
Blushi tha se Presidenti i Partisë së Lirisë është ndaluar me 10 ditë të stërvitet në ambientet e burgut 313 ku ndodhet prej 21 tetorit të vitit të kaluar.
“Këto praktika sa qesharake, po aq të neveritshme dhe represive, dëshmojnë fytyrën e vërtetë dhe degradimin e Narkoregjimit, që me ndihmën e SPAK po bëjnë çdo përpjekje për të goditur dhe izoluar liderët e opozitës. Presidenti Meta në krye të Partisë së Lirisë po drejton me vendosmëri dhe efiçiencë të plotë politike aktivitetin dhe qendrimet e saj politike, me gjithe kushtet e izolimit ai gëzon shëndet të plotë dhe garanton të gjithë gazetarët e pavarur se asnjë masë represioni apo kufizimi e imponuar nga Narkoregjimi nuk do të mund t’i ndalojë atij kurre lirinë e fjalës dhe të drejtën për të komunikuar me mediat e pavarura.
Partia e Lirisë është totalisht në krah të Presidentit te saj Meta në këtë betejë parimore për liri, demokraci, llogaridhënie, transparencë, drejtësi të vërtetë dhe shtet ligjor në Shqipëri dhe më e vendosur në mbrojtje të kauzave të saj madhore, për të çmontuar këtë axhendë kriminale, sorosiste dhe mafioze për pengmarrjen e plotë të vendit nga Narkoregjimi”, tha Blushi.

