Politike
Denoncimi i PD: Ku kanë përfunduar 1.2 milionë euro fonde publike për rikonstruksionin e Vilës 31?
Partia Demokratike ka denoncuar një tjetër abuzim që sipas saj është bërë me fondet publike. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja për Anti-Korrupsionin në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli tha se rinovimi i Vilës 31 ka kushtuar 1.2 milionë euro, para nga taksapaguesit shqiptare.
Ajo u shpreh se në janar 2025, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një konferencë për shtyp me rastin e hapjes së rezidencës artistike Vila 31 x Art Explora, ku u deklarua publikisht se rinovimi i kësaj godine ishte kryer nga një studio arkitekturore ndërkombëtare.
Sipas saj nëse rinovimi i kësaj godine është kryer nga studio e huaj me mbështetje të një fondacioni ndërkombëtar, atëherë Kryeministri ka detyrimin të sqarojë publikisht se ku kanë përfunduar 1.2 milion euro nga paratë e taksapaguesve shqiptarë?
Deklarata
Në janar 2025, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një konferencë për shtyp me rastin e hapjes së rezidencës artistike Vila 31 x Art Explora, ku u deklarua publikisht se rinovimi i kësaj godine ishte kryer nga një studio arkitekturore ndërkombëtare.
Në njoftimet publike në rrjetet sociale, faqja zyrtare e Vilës 31 x Art Explora bën me dije se në Prill 2025, godina është rinovuar me mbështetjen e fondacionit Art Explora në Francë.
Restaurimi i Vilës 31 është prezantuar si një punë e kryer nga studio arkitekturore NeM Architects.
Por dokumentet zyrtare tregojnë një histori tjetër.
Rezulton se 1.2 milion euro nga fondet publike janë prokuruar më herët për rikonstruksionin e Vilës 31 nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, me miratim të Kryeministrit.
Madje, operatori ekonomik ‘Valona Konstruksion shpk’ është shpallur fitues i tenderit, dhe më 21 korrik 2023 ka lidhur kontratën nr. 144/17 me Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, me afat realizimi 12 muaj, pikërisht për rikonstruksionin e Vilës 31.
Këto fakte ngrenë dyshime serioze për mënyrën se si janë përdorur paratë e shqiptarëve.
Nëse rinovimi i kësaj godine është kryer nga studio e huaj me mbështetje të një fondacioni ndërkombëtar, atëherë Kryeministri ka detyrimin të sqarojë publikisht:
Çfarë punimesh ka realizuar konkretisht operatori fitues Valona Konstruksion shpk?
Ku kanë përfunduar 1.2 milion euro nga paratë e taksapaguesve shqiptarë?
Transparenca për fondet publike nuk është çështje propagande, por detyrim ligjor dhe moral ndaj qytetarëve.
Çdo mospërputhje mes deklarimeve publike dhe dokumenteve zyrtare kërkon sqarim të menjëhershëm dhe të plotë, sepse shqiptarët nuk mund të trajtohen si spektatorë të propagandës së qeverisë, ndërsa miliona euro nga taksat e tyre mbeten pa përgjigje.