Connect with us

Aktualitet

Denoncimi i Qorit: Erion Veliaj ka blerë 3.5 milion lekë biletë avioni për Gjermani

Ditën e sotme, përmes një reagimi në llogarinë personale në “Facebook”, kreu i “Lëvizjes Bashkë”, aktivisti Arlind Qori, ka reaguar pas publikimit të lajmit për një biletë udhëtimi prej 3.5 milionë lekësh që kishte prerë Bashkia e Tiranës.

Destinacioni ishte Dortmundi dhe pasagjeri “special”, supozohet të jetë kryebashkiaku Erion Veliaj.

Bashkia e Tiranës ka blerë me urgjencë një biletë avioni vajtje-ardhje për në Dortmund/Dyseldorf duke harxhuar 3.5 milionë lekë (të vjetra). Kjo shumë është e barabartë me 44 pensione minimale. Udhëtari “special” niset sot dhe kthehet pasnesër, me shumë gjasë për të parë ndeshjen Shqipëri-Itali”, shkruan Qori.

Më tej, aktivisti i “Lëvizjes Bashkë”, thotë se si një keqbërës që e pret dita-ditës burgun, Erion Veliaj, i lejon vetes të paguajë nga taksat e qytetarëve të Tiranës 3.5 milionë lekë të vjetra për të udhëtuar drejt Gjermanisë, për ndeshjen e parë të Kombëtares.

“Kjo është vjedhje. Po edhe më keq se vjedhje, ky është poshtërimi i fundit që Erion Veliaj u bën qytetarëve të Tiranës. Me sa duket, si një keqbërës i rrethuar që pret dita-ditës burgun, Erion Veliaj ka humbur tërësisht logjikën dhe sensin e masës, duke i lejuar vetes lapërdhitë e fundit”, vijon reagimi i tij.

Kjo biletë me vajtje në datë 14 Qershor (sot) dhe kthim dy ditë më pas (më datë 16 Qershor), përkon me nisjen e Europianit dhe ndeshjen e parë të Kombëtares shqiptare, e cila do të jetë më datë 15 Qershor, pikërisht në Dortmund.

Siç duket, kryebashkiaku Erion Veliaj, ka vendosur që t’u bashkohet deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në Gjermani për të parë kuqezinjtë, të cilët edhe seancën plenare të së enjtes e zhvilluan të mërkurën, në mënyrë që të mos kenë asnjë angazhim tjetër dhe të shohin Kombëtaren.

Por ndryshe nga deputetët që do ta paguajnë vetë biletën për në Gjermani, kryebashkiaku Erion Veliaj, e ka faturuar çmimin prej më shumë se 3.5 milionë lekësh të vjetra (pa llogaritur TVSH) në buxhetin e institucionit që drejton.

Advertisement