Connect with us

Aktualitet

Departamenti i Shtetit do të krijojë një Zyrë të re të Çështjeve të Ballkanit

Departamenti i Shtetit njoftoi të enjten Kongresin Amerikan për një riorganizim të përditësuar, duke propozuar shkurtime në programe përtej asaj që ishte zbuluar më parë nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe një reduktim më të madh prej 18 për qind të stafit në SHBA.

Ndryshimet e planifikuara, të detajuara në një letër njoftimi të marrë nga Albanian Post, pasqyrojnë shtytjen e administratës Trump për të riformësuar diplomacinë amerikane dhe për të zvogëluar madhësinë e qeverisë federale.

Siç dëshmon Letër-Njoftimi i Transmetuar Kongresit, DASH-i planifikon që të bashkojë Zyrën e Çështjeve Jugore me Zyrën e Evropës Jug-Qendrore për të krijuar “Zyrën e re të Çështjeve të Ballkanit dhe Evropës Jugore”, mëson Albanian Post.

Skema e paraqitur në letër-njoftim thekson rolin që do të ketë zëvendës ndihmës sekretari për Evropën Lindore dhe Jugore, në ndarjen e së cilit do të jenë dy zyra: Zyra e Çështjeve Ruse dhe Kaukazeve (EUR/RuCas) si dhe Zyra e Çështjeve të Evropës Jug-Qendrore (EUR/SCE).

DASH shkruan se byrotë rajonale të Departamentit – të cilat janë përgjegjëse për menaxhimin e përgjithshëm të marrëdhënieve dypalëshe të SHBA-ve në të gjithë botën – janë në qendër të politikës së jashtme amerikane.

Letra e dërguar Kongresit nga Departamenti i Shtetit vëren se riorganizimi do të prekë më shumë se 300 byro dhe zyra, duke thënë se po eliminon divizionet që i përshkruan si punë të paqarta ose që mbivendosen me njëra-tjetrën dhe se Rubio beson që “diplomacia moderne efektive kërkon përmirësimin e kësaj burokracie të fryrë”.

Veçanërisht, riorganizimi duket se synon vetëm zyrat vendase dhe jo ambasadat ose konsullatat amerikane jashtë vendit.

Sipas njoftimit drejtuar Kongresit, riorganizimi do të shkurtonte fuqinë punëtore vendase të Departamentit të Shtetit deri në 3 mijë e 448 personel, duke marrë parasysh reduktimet e reja dhe largimet vullnetare që administrata Trump u ka ofruar zyrtarëve të qeverisë.

“Operacionet vendase të Departamentit janë rritur ndjeshëm gjatë 25 viteve të fundit. Përhapja që rezulton nga byrotë dhe zyrat me mandate të paqarta, që mbivendosen ose dyfishohen ka penguar aftësinë e departamentit për t’iu përgjigjur shpejt kërcënimeve dhe krizave në zhvillim, ose për të çuar përpara në mënyrë efektive interesat afirmative të Amerikës në të gjithë botën”, ravijëzohet në njoftimin drejtuar Kongresit.

Advertisement