Rajon
Deputeti shqiptar në Serbi ngre alarmin: Vuçiç mund të hakmerret ndaj shqiptarëve
Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) në Serbi, Shaip Kamberi njëkohësisht deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin serb, ka thënë se pas dështimit të grupit terrorist serb në Banjskë presidenti serb Aleksandër Vuçiç, mund të hakmerret ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Kamberi shprehet se cilësimi nga ana e Vuçiçit se në aksionin e Policisë së Kosovës për neutralizimin e grupit të armatosur serb kishte “kriminelë të trajnuar nga Presheva”, mund të nënkuptojë hakmarrje në të ardhmen për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Deputeti iu ka bërë thirrje ndërkombëtarëve të parandalojnë çdo tentativë për hakmarrje nga presidenti serb
POSTIMI I PLOTË:
Presidenti Serbisë A. Vuçiq, mbrëmë, deklaroi se në aksionin e Banjskës, në radhët e policisë profesionale të Kosovës ndodheshin edhe “kriminel të trajnuar nga Presheva”.
Pse Vuçiq në mesin e gjithë policëve që kanë marrë pjesë në neutralizimin e aksionit terrorist në Banjskë përmendë Preshevën?
Mos ndoshta kjo është paralajmrim për ndonjë aksion hakmarrës ndaj shqiptarëve në Luginë të Preshevës?
Nuk do të ishte hera e parë që Serbia mllefin ndaj Kosovës ta shfryejë në Luginë.
Andaj ftoj Bashkësinë ndërkombëtare që të veprojë në parandalimin e çfarëdo tentative të autokratit serb për hakmarrje ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Çfarë ndodhi në veri të Kosovës?
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe 3 u plagosën në përleshjet me një grup të armatosur në veri të vendit. Rreshteri Bunjaku u vra në pritën që grupi i armatosur kishte zënë herët në mëngjes në hyrje të fshatit Banjskës në Zveçan. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u plagosën edhe 2 policë të tjerë. Më pas grupi i armatosur prej 30 anëtarësh u vendos në manastirin e Banjskës ku për orë të tëra, gjatë gjithë ditës së dielë u shkëmbyen të shtëna me policinë. Në mbrëmje ministri i Brendshëm i Kosovës deklaroi se 4 sulmues u vranë. Tre trupat e serbëve u gjetën në të njëjtën ditë, ndërsa i katërti një ditë më vonë. Ndërkohë gjashtë persona të tjerë, që dyshohet se ishin të lidhur me ta, u arrestuan. Gjithashtu ishin sekuestruar sasi të madhe armatimi.