Politike
Deputetja më e votuar e PD-së/ Tabaku nga Kuvendi: Nuk është antishqiptar ai që thotë se ka probleme…

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, duke folur nga foltorja e Kuvendit tha se zgjedhjet e 11 majit ishin një mundësi e humbur për Shqipërinë. Tabaku gjithashtu shprehi keqardhje që salla e parlamentin ishe e zbrazur, sidomos nga maxhoranca që sipas saj duhet të kishin ardhur me energji pas fitores. Deputeja demokrate theksoi gjithashtu se zgjedhjet ishin mundësi e humbur për Shqipërinë.
“Keqardhje që e shoh parlamentin të zbrazur, sidomos nga maxhoranca që duhet të kishte ardhur me energji pas kësaj fitoreje që fatkeqësisht nuk reflektohet as në sallë kuvendi, as në komisionet parlamentare dhe askund. Sot nisi në një debat për procesin e integrimit, për atë që PE diskutoi dje dhe për zgjedhjet. Në Komisionin e jashtëm të PE, Marta Kos raportoi dhe tha s’ka rëndësi sesa grupkapituj dhe kapituj hapen dhe sa mbyllen. Kjo është retorika e procesit të integrimit. Rëndësi ka sesa standarte plotësoni, se integrimi është proces standartesh, i cili bazohet mbi standartet e përmirësuara, që vijnë nga zgjedhjet, nga demokracia, ekonomia, sfera sociale dhe sektor tjetër. A është sot Shqipëria më mirë sesa ishte vetëm se u hapën disa grupkapituj? A tregoi Shqipëria se di të organizojë zgjedhje si vend evropian?
Më vjen keq të them por zgjedhjet ishin mundësi e humbur për Shqipërinë, për faktin që nga 2013 e deri më sot, reforma e plotë dhe gjithëpërfshirëse zgjedhore, hetimi i krimeve zgjedhore, kalojnë nga njëri progres raport në tjetrin, dhe ndodhemi në vitin 2025, me më shumë kërkesa e kritere se në 2013. A ka pasur ndonjëherë vullnet politik qeveria që ato reforma që duheshin ndërmarrë qoftë edhe për zgjedhje të zbatoheshin? Nuk është antishqiptar ai që thotë se ka probleme, ai që ngre shqetësime, por ai që këto shqetësime dhe mungesë vullneti politik e kthen në një barrierë të madhe që shqipëria të avancojë në integrim. Nëse ka barrierë më të madhe janë standartet e munguara të këtyre zgjedhjeve. Kush e ka penguar qeverinë të 10 vite të krijojë minimumin e normave demokratike”, tha Tabaku.

