Kosova
Dera e mbyllur e paqes, Vuçiç: Kurti nuk ka guxuar të më takojë
Në një prononcim për gazetarë, pas takimeve që ka pasur me kryediplomatin evropian, Josep Borrell, i cili ka qenë i shoqëruar nga i Dërguari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, Presidenti i Serbisë ka pretenduar se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “nuk ka guxuar” që ta takojë atë në Bruksel
“Nuk ka pasur takim me Kurtin sepse Kurti nuk ka dashur apo nuk ka guxuar – pyeteni atë – të më takoj dhe të bisedojmë” –tregoi Vucic dhe theksoi se është kthyer tri herë në takim me Borrell-in dhe Lajçak-un, të cilët i kanë përcjellë mesazhet e Albin Kurtit, kurse persa i përket takimeve me ndërmjetësit evropianë, ai i vlerësoi korrekte.
Sipas tij, Kurti dëshiron që Serbia ta njohë Kosovën dhe “tani kanë dalë me disa kërkesa të tjera, por në thelb është një njohje de jure”.
Vuçiç pohoi se gjatë takimeve dypalëshe është folur për gjithçka që ka të bëjë me Kosovën dhe zbatimin e marrëveshjeve, teksa i ka konsideruar “të suksesshme” takimet në Bruksel.
Ai shtoi gjithashtu se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, do të vazhdojnë bisedimet javën e ardhshme, “të martën ose të mërkurën”.