Kosova
Deriçkë e hapur për Kurtin/ Debati semantik i kryeministrit
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i kanë kërkuar disa herë Kosovës që të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Në një shkrim në fund të janarit, të shpërndarë nga disa media në Kosovë, ata kanë thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ishte njëetnik, me pak fjalë amerikanët i kanë dhënë Albin Kurtit një hapësirë që çon te mundësia për të formuar një asociacion që do të ishte i pranueshëm për Kosovën.
“Kryeministri e ka kthyer më shumë këtë çështje në një debat semantik të emrit dhe përdorimit të fjalës ‘serb’ aty. Nuk dihet se si do të zgjidhet kjo pjesë. Por, që është hapur një deriçkë për Kurtin, kjo është shumë e vërtetë dhe është bërë shumë e qartë nga letra e botuar e Chollet dhe Escobar, ku, faktikisht, kërkohet nga Kosova që të krijojë diçka që është krejtësisht në përputhje me Kushtetutën” – thonë analistët në Prishtinë
Ata gjithashtu shprehen se kushtet e Kurtit për Asociacionin mund të jenë frymëzuar nga letra e Chollet dhe Ecobar dhe tani ai po e shfrytëzon këtë si hapësirë manovruese, për t’u arsyetuar para opinionit të brendshëm në Kosovë
Për mendimin analitik në Prishtinë, Kurti në fakt do të përpiqet që me fjalë të zgjedhura, thjesht, t’ia komunikojë opinionit të Kosovës se principi i tillë është i pranueshëm dhe se ai do të harmonizohet me ligjet në fuqi dhe me Kushtetutën e Kosovës