Connect with us

Shkrime

Dëshmia e Rubin, vetëm për ti dhënë kurajo dhe energji Thaçit, nuk ia pakëson fajësinë, kjo është e vërteta

Nga Prof.dr.Enver Bytyçi

Ish-ndihmës sekretari i Shtetit amerikan, James Rubin, të hënën dëshmoi në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë si dëshmitar i thirrur nga i akuzuari për krime lufte, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Dëshmia e tij u ndoq me kërshëri nga opinioni publik dhe po komentohet në mënyra të ndryshme. Disa me eufori e disa tjerë me kritika. Unë do të doja të shpreh mendimet e mia rreth kësaj dëshmie.

James Rubin ka luajtur në një farë mënyre rolin kujdestar për Hashim Thaçin në kohën e luftës, sidomos në Rambuje dhe pas Rambujesë. Atëherë ai ka qenë zëdhënës i sekretares së Shtetit, të ndjerës Madlaine Ollbright. Edhe sot në dëshmi tha se kishte porosi nga Ollbright që të bëhej mik diplomatik i Thaçit dhe të përpiqej të kuptonrte se çfarë përfaqësonte atëhere ish-përfaqësuesi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot në bankën e të akuzuarve për krime lufte. Pra, del që unë nuk po them disçka të re lidhur me rolin kujdestar të zotit Rubin.

Dekratatat e James Rubin që bëri të hënë në gjyqin e zotit Thaçi ruajtën atë narrativë, që të akuzuarit kanë mbrojtur gjatë gjithë kohës së procesit gjyqësor. Ai tha se Thaçi nuk kishte fuqi vendimmarrëse në UÇK. Kompetencat, sipas Rubin, i kishin komandantët ushtarakë të UÇK-së. Shkurt, diplomati amerikan mori në mbrojtje Hashim Thaçin, me të njëjtën narrativë që ky i fundit ka përdorur prej fillimit e deri sot gjatë procesit gjyqësor. Dukej qartë se qëllimi ishte shfajësimi i ish-presidentit Thaçi, por jo edhe shfajësimi i UÇK-së. Ndërkohë mbështetësit e zotit Thaçi në Kosovë e gjetkë thonë se “Po përbaltet Ushtria Çlirimtare e Kosovës”! Kanë të drejtë, kur tashmë e dimë se Beogradi për këtë qëllim e ka sponsorizuar Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë. Por UÇK përbaltet akoma më shumë nëse faji transferohet te komandantët e UÇK-së.

Taktika sipas së cilës Hashimi nuk ka përgjegjësi, sepse “nuk e pyeste njeri”, është tejet e gabuar. Zoti Thaçi duhej të mbrohej me dinjitet dhe të mos lejonte që edhe dëshmitë e dëshmitarëve të tij të rrëshqasin në narrativën e fajësimit të zingjirit komandues, madje në fshehtësi, siç përmendi Rubin. Personalisht pajtohem se në muajt e parë Hashim Thaçin nuk e pyeste njeri. Ata që e vendosën në atë detyrë ishin të gjithë enveristë dhe stalinistë. Hashimin e zgjodhën si një djalë që mund ta komandonin e njëkohësisht të thyenin akullin për të përfituar mbështetjen e Perendimit. Askush në Perendim nuk do të bashkëpunonte me “djajtë e kuq” të LPK-së. Dhe zgjodhën Thaçin, si person pa post dhe autoritet në atë parti enveriste.

Por a qëndroi Hashim Thaçi në këto pozita deri në fund. Jo. Sepse ai pati mbështetjen e qeverisë së Tiranës dhe sidomos të SHIK-ut të Fatos Klosit. Këta ishin enveristët e kamufluar të PS-së në Tiranë. Ishin edhe miqtë e enveristëve të LPK-së. Të dy palët e mësuan dhe e nxitën Hashim Thaçin që luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ta shndërronin nga një luftë për çlirim, në një luftë për pushtet. Po ju jap një shembull. Në maj të vitit 1998 unë sapo kisha filluar botimin e revistës “KOHA” në Tiranë. Diku nga java e tretë e atij muaji takoj të ndjerin Azem Hajdari te kafja përballë Partisë Demokratike. Bashkë me Azemin ishte dhe një djalë nga Juniku. Ai na tregoi se kishte shkuar në shtabin e UÇK-së në Junik dhe kishte kërkuar armë që të luftonte kundër pushtuesit serb. Por komandantët e shtabit e kishin pyetur se me cilën parti ishte. Pasi përgjigjet, një nga komandantët i lëshon te këmbët fotografinë e Ibrahim Rugovës dhe i thotë: – Shkele-! Djali nuk e shkel fotografinë, por ikën nga vendlindja dhe vjen në Tiranë nga frika e hakmarrjes.

Të kthehemi në atë kohë. Të gjithë i dimë debatet, replikat dhe akuzat e Hashim Thaçit kundër Rugovës. Këtë fakt e provoi edhe James Rubin në dëshminë e tij, kur tha se “Ambasadori Hill mbështeste Rugovën, ndërsa Ollbrigt dhe ai vetë Thaçin”! Por ajo kohë është e kaluar. Do duhej mbyllur, nëse nuk do të vriteshin gjatë luftës e mbas lufte gati 200 aktivistë dhe mbështetës të Rugovës. Ndërkohë në Hagë kanë dëshmuar gjithsej 125 dëshmitarë të akuzës, nga të cilët vetëm 53 njihen në publik. Siç shihet 72 prej tyre janë dëshmitarë të mbrojtur. Dëshmitë e këtyre ne nuk i njohim, nuk i dimë, ndonëse disa emra i ka dekonspiruar vetë Hashim Thaçi, kur ta porositur miqtë e tij për t’i intimiduar ata. Cfarë kanë pohuar dëshmitarët e mbrojtur? Do ta mësojmë kur të formulohet vendimi i Gjykatës, siç thuhet nga pranvera e vitit të ardhshëm.

Por fakti se zoti Thaçi ka porosit intimidimin e dëshmitarëve të mbrojtur e fajëson atë për krime. James Rubin nuk mund ta ndihmojë në këtë aspekt. Dëshmia e diplomatit amerikan thjesht shërben për t’i dhënë të akuzuarit Thaçi kurajo dhe energji pozitive. Asgjë më shumë. Dëshmia që dëgjuam të hënën e zotit Rubin nga pikëpamja juridike as ia shton, as ia pakëson fajësinë. Kjo është e vërteta. Dhe kam përshtypjen se të gjitha dëshmitë e dëshmitarëve të Hashim Thaçit do të jenë opinione të personave që ulen në vendin e dëshmitarit.

Advertisement