Kosova
Dështon takimi trepalësh në Bruksel, Borrell: Kosova nuk ishte e gatshme, Kurti vendosi tre kushte
Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, u takuan sot në Bruksel me shefin e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe të dërguarin evropian Miroslav Lajçak, por jo me njëri-tjetrin.
Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell tha se Kosova nuk ishte e gatshme për takim trepalësh dhe kryeministri i saj, Albin Kurti paraqiti tre kushte për angazhimin e mëtejshëm në procesin më të gjerë të normalizimit.
“Së pari, zyrtarizimin e marrëveshjes themelore përmes nënshkrimit nga udhëheqësit e shteteve dhe qeverive përkatëse. Së dyti, tërheqjen e letrës së paraqitur zyrtarisht në BE nga ish-kryeministrja (serbe Ana) Bërnabiç, e datës 13 dhjetor 2023. Dhe së treti, dorëzimin e Milan Radojçiçit dhe grupit të tij paraushtarak-terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, citoi Borrell.
Borrell tha se para takimit, BE-ja kishte paraqitur një propozim të ri për planin e zbatimit, por “fatkeqësisht kushtëzimi i zbatimit nuk lejoi që diskutimet të përqendrohen në veprime konkrete zbatuese nga palët”, ndërsa theksoi se qëndrimet e tyre mbeten shumë të ndryshme për mënyrën se si mund të nisë zbatimi i Marrëveshjes dhe rrjedhimisht se si duhet të vazhdojë procesi i normalizimit.
Borrell tha se i dërguari evropian Miroslav Lajçak do të presë kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel për të vazhduar diskutimet mbi planin e zbatimit të marrëveshjes si dhe çështje të tjera të dialogut.
Ndërmjetësuesit provuan një takim të përbashkët në atë që disa vëzhgues të pavarur e panë si një shfaqje që do t’u mundësonte atyre të deklarojnë se procesi vazhdon, ndërsa palëve mund t’u sigurojë përfitime nga Plani Evropian i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, përmes ripërkushtimit ndaj procesit të normalizimit të marrëdhënieve.
Kurti: Kërkuam garanci për mirëbesim dhe vullnet të mirë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, konfirmoi kërkesat e paraqitura nga Borrell, duke theksuar se ka kërkuar “garanci për mirëbesim dhe vullnet të mirë të cilat mundësojnë zbatimin e marrëveshjeve”.
“Konsiderojmë se marrëveshja bazike dhe aneksi i zbatimit janë një e arritur e dalluar në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës, për marrëdhënie të mira fqinjësore, me fqinjin tonë verior, me njohjes së paku de-fakto në qendër, por është edhe arritje e Bashkimit Evropian që ka ndërmjetësuar raunde të tëra të këtij dialogu”, tha kryeministri Kurti.
Vuçiç: Kurti nuk deshi të takohet me mua
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, u tha medieve serbe në Bruksel se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “nuk ka dashur të më shohë”. Ai theksoi se gjatë bisedave dypalëshe me ndërmjetësuesit ka theksuar përkushtimin e plotë të Beogradit për vazhdimin e bisedimeve.
Sipas presidentit serb, kryeministri Kurti dëshiron që Serbia ta njohë Kosovën dhe “tani kanë dalë me disa kërkesa të tjera, por në thelb është një njohje de jure”.
Ndryshimet në udhëheqjen e BE-së dhe dialogu Kosovë – Serbi
Borrell, në vjeshtë duhet t’i lërë postin pasardhësit të tij, zgjedhja e të cilit mund të vendoset ditëve të ardhshme në takimin e udhëheqësve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Në fund të mandatit është edhe i dërguari Lajçak i cili është emëruar ambasador i bllokut në Zvicër, por gjatë vizitës së fundit në rajon tha se do të qëndrojë në postin aktual deri në muajin janar.