Connect with us

Kronike

DETAJE/ Motrat Nikolli dyshohet se stisën sulmin me tritol që i mori jetën Eneas

Alda dhe Xhovana Nikolli dyshohet të kenë stisur sulmin me tritol të ndodhur më 13 korrik 2024, që i mori jetën fqinjit të tyre, Enea Thomarai. Hetuesit e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) zbarkuan një ditë më parë në banesën ku motrat Nikolli kanë jetuar me qira në Elbasan dhe ushtruan kontroll të prani të pronarit të apartamentit. Gazetari i OraNeës Elton Qyno shkruan se kontrolli është kryer me shpresën e kapjes së provave, që mund të implikojnë motrat Nikolli në këtë ngjarje, pasi SPAK ka të dhëna se ngjarja është e montuar.

Ajo që dihet për këtë ngjarje është se kamerat kanë pikasur një person që afrohet me biçikletë, lë lëndën plasëse dhe më pas largohet. Ai është një person me precedentë penalë, është identifikuar nga autoritetet, por ende nuk është prangosur dhe mungesa e dëshmisë së tij e ka lënë këtë çështje pa një autor.

Thomarai jetonte në apartamentin përballë motrave Nikolli dhe nuk kishte asnjë lidhje me to. Atij i ra dera në kokë për shkak të shpërthimit dhe përfundoi në koma në Spitalin e Traumës, ku qëndroi për një muaj, por më pas ndërroi jetë.

Gjatë kohës së kësaj ngjarjeje, njëra nga motrat, Alda Nikolli ka akuzuar të penduarin e drejtësisë Nuredin Dumani si autor. Këtë gjë, ajo e tha në një intervistë për Top Channel dhe në daljet e drejtpërdrejta që ka bërë në “Tik Tok”. Alda Nikolli rrëfente se me Nuredin Dumanin kishte pasur një raport intim që nuk kishte përfunduar mirë dhe ai e kishte kërcënuar, arsye për të cilën ajo kishte krijuar bindjen se më pas ai i ka vendosur sasinë e tritolit në derën e banesës.

Ndërsa motra tjetër, Xhovana Nikolli është e dashura e Amarildo Xhanejt (Nikolli) që u vu në pranga në Vlorë, pasi dyshohet se kishte shkuar të vriste Inez Hajrullën. Pas arrestimit, Amarildo Xhanej u bë bashkëpunëtor i drejtësisë dhe u dënua nga Gjykata e Posaçme me 2 vite e 9 muaj burg për armëmbajtje pa leje në kuadër të grupit kriminal.

Ajo që është raportuar gjithashtu është se mes Xhanejt dhe Dumanit ka pasur përplasje fizike në burgun e sigurisë së lartë “313”.

Advertisement