Kronike
Detaje të reja nga atentati ndaj 4 personave në Tiranë/ Gjendja e dy të miturve të plagosur vijon të jetë e rëndë

Një atentat ka tronditur Tiranën, ku katër persona u qëlluan me armë zjarri, mes tyre edhe dy të mitur- aktualisht në gjendje të rëndë në spital. Burime bëjnë me dije se të plagosur kanë mbetur, Arenc Sefa 34 vjeç, Klan Mullahi 19 vjeç, dhe dy të miturit B.D., 11 vjeç dhe M.D., 17 vjeç. Përkatësisht, djali dhe nipi i pronarit të kompanisë “Pelikani Security”, ndërsa 34-vjeçari është pjesë e stafit të kësaj kompanie dhe ka qenë shoqëruesi i fëmijëve në momentin kur është organizuar atentati.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:50 të 17 prillit pranë Tregut Agro Ushqimor në Tiranë. Të katërt kanë qenë duke udhëtuar me një mjet luksoz tip “G Class” kur autorët i kanë qëlluar me armë zjarri.
Dinamika është ende e paqartë, por burime paraprake bëjnë me dije se ndaj tyre është qëlluar me armë në Unazë të Madhe teksa kanë qenë në lëvizje dhe mjeti drejtohej nga 34-vjeçari, shoqërues i familjes së pronarit të “Pelikani Security”.
Në përjekje për t’u larguar, nga dinamika që kanë ndërtuar deri më tani hetuesit, mësohet se 34-vjeçari ka udhëtuar me mjet deri në zonën e Lundrës dhe më pas për shkak të plagëve që ka marrë ka humbur ndjenjat. Në këtë moment kanë qenë persona të rastësishëm që i kanë ndimuar të plagosurit për t’i dërguar në spitalin e Traumës.
Ndërkohë, me kërkesë të familjarëve 17-vjeçari është dërguar në një spital privat në Tiranë, 11 vjeçari ndodhet ende në gjendje të rëndë te Trauma. Shoferi 34-vjeçar ndodhet në gjendje stabël, bashkë me 19-vjeçarin.
“Më datë 17.04.2025, rreth orës 21:50, në spitalin e Traumës, kanë shkuar dyshohet të plagosur me armë zjarri në Lundër, shtetasit A. S., 34 vjeç, K. M., 19 vjeç, dhe dy të mitur të moshës rreth 11 vjeç dhe 17 vjeç. Është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njoftoi Policia e Tiranës.
Autorët e ngjarjes janë ende të paidentifikuar, por blutë kanë arritur të mësojnë se ata kanë qenë me një fouristradë dhe nuk dihet nëse e kanë ndjekur mjetin “G Class” nga momenti kur kanë shtënë me armë në drejtim të tij deri në Lundër, kur shoferi 34-vjeçar humbi ndjenjat. Mbetet e paqartë se kush ka qenë shënjestra e atentatit, por një grup hetimor është ngritur dhe po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Forca të shumta policie dhe pika kontrolli janë ngritur për kapjen e autorëve, ndërsa blutë do të vëzhgojnë edhe kamerat e sigurisë për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes. Autorët janë larguar në drejtim të paditur, ndërsa pikat e kontrollit janë ngritur kryesisht në drejtim të Elbasanit, ndërsa deri më tani Policia e Tiranës nuk raporton që mund të jetë djegur mjeti i autorëve, siç ndodh me skemat tipike të atentateve.
Disa persona janë marrë në pyetje nga grupi hetimor, kryesisht dëshmitarë të vendit të ngjarjes, ndërsa në pyetje pritet të merren edhe familjarët e të plagosurve.

