Connect with us

Bota

Detaje të reja nga masakra me 10 të vdekur në Austri/ Agresori vrau 7 nxënës, 6 nga viktimat janë femra

Të paktën dhjetë njerëz, përfshirë shtatë nxënës, janë vrarë të martën në një sulm të dyshuar me armë në një shkollë në qytetin Grac, në jug të Austrisë.

Autoritetet thanë se sulmuesi i dyshuar, ishte një 21-vjeçar, ish-nxënës i shkollës së mesme në Grac.

Sipas autoriteteve, ai hapi zjarr duke vrarë nëntë persona dhe më pas vrau veten.

I dyshuari kishte përdorur një armë të gjatë dhe një pistoletë, thanë zyrtarët policorë gjatë një konference për media, duke shtuar se ende janë duke e hetuar motivin e këtij sulmi.

 

 

Të dy armët e zjarrit, i dyshuari i kishte me leje, thanë autoritetet.

Nga nëntë viktimat, gjashtë ishin femra dhe tre meshkuj, tha ministri i Brendshëm, Gerhard Karner.

Dymbëdhjetë persona po ashtu janë plagosur dhe disa, sipas Karnerit, kanë plagë serioze.

Kancelari austriak, Christian Stocker, tha se në shtet do të shpallen tri ditë zie për shkak të të shtënave në shkollë.

Kryetarja e qytetit të Gracit, Elke Kahr, e përshkroi sulmin si “tragjedi e tmerrshme”.

Policia austriake tha më herët se beson se sulmuesi veproi i vetëm.

Të shtënat në gjimnazin BORG Dreierschützengasse ishin raportuar në orën 10:00 të mëngjesit dhe pas kësaj edhe forcat speciale ishin dërguar në vendngjarje.

Rreth një orë më vonë, policia njoftoi në rrjetin social X se të gjithë janë evakuuar nga shkolla dhe janë dërguar në vend të sigurt.

Policia shtoi se situata është “nën kontroll” dhe se nuk ka më rrezik.

Ngjarja në Grac është dënuar nga udhëheqësit kryesorë evropianë.

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se “shkollat janë simbol i rinisë, shpresës dhe të ardhmes”, duke shtuar se është e rëndë kur “shkollat bëhen vende të vdekjes dhe dhunës”.

Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier dhe kancelari Friedrich Merz, po ashtu kanë shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave.

Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në reagimin e saj tha se shkollat duhet të jenë vend ku “fëmijët ëndërrojnë, mësojnë e rriten, e jo vend i dhunës dhe terrorit”.

Graci, qyteti i dytë më i madh i Austrisë, ndodhet në juglindje të vendit dhe ka rreth 300.000 banorë./ REL

Advertisement