Shkrime
Detyra patriotike e çdo shqiptari, regjimi i Ramës duhet të largohet sa më shpejt
Nga Agim Nesho
Shumë gazetarë, analistë dhe intelektualë u çuditën nga shpërthimi sezonal i Ramës ndaj udhëheqjes së UÇK-së. Shumë u habitën nga entuziazmi idiotesk që retorika e Ramës në Prishtinë dhe Uashington krijoi në disa rrethe të politikës në Prishtinë dhe Tiranë, kur makina propagandistike e Ramës kërkonte të krijonte imazhin e liderit të shqiptarëve. Emocionalë në dëgjimin e emrit të liderit të UCK, Hashim Thaçi, harruan të reflektojnë në thelbin e mesazhit të tij: – rikthim në zgjidhjen e “konfliktit” Kosovë-Serbi, rikthim në politikat e vjetra anti-kombëtare të Ballkanit të Hapur.
Publikimi i letrës së përbashkët Rama-Vuçiç nga shtypi kryesor gjerman, drejtuar BE-së për integrimin e vendeve të tyre, tregoi që projektet e vjetra anti-shqiptare të gatuara në Novi-Sad vazhdojnë të ekzistojnë gjithmonë e më të forta, gjithmonë e më të rrezikshme.
Lind pyetja: Pse e bëri Rama tani këtë veprim të pajustifikueshëm me pasoja të rrezikshme për të ardhmen e Shqipërisë?
Së pari, Rama është në fundin e regjimit të tij që korruptuar, të një narko-regjimi që hapur kërkon të ndryshojë ligjet për të mbrojtur korrupsionin dhe mbajtur diktaturën. Premtimet e Ramës që do ta fusë Shqipërinë në BE janë venitur dhe kanë përfunduar në kërkesa të përbashkëta me Vuçiç për pranim në tregun e përbashkët europian dhe zonën Shengen. Pra na merrni në Europë me kushtet tona, pa transparencë dhe llogaridhënie.
Së dyti, Shqipëria është deklaruar së bashku me Malin e Zi si pretendentët me realë për tu integruar në BE. Serbia është e penalizuar nga institucionet e Bashkimit Europian dhe nën mbikëqyrje të rreptë për funksionimin e shtetit të së drejtës, zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, luftën kundër korrupsionit, lirisë së medias, etj. Pse Rama zgjedh pikërisht Serbinë në këto momente dhe jo një vend tjetër si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, etj. për të bashkuar iniciativat lidhur me BE-në. Sigurisht, bashkëpunimi i tij me Vuçiç është i thellë dhe sjellja e tij nuk është vetëm sjellja e një argati të Beogradit por edhe peng i Vuçiç për ato plane të përbashkëta që kanë bërë kundër Kosovës, ndarjes së kufijve dhe rolin e tyre në Ballkanin e Hapur.
Së treti, lidhja e Ramës me mbretëritë e Gjirit është një kurs i ri për ti mundësuar regjimit të tij një vazhdimësi. Projekti i Ballkanit të Hapur ishte një alternativë e vjetër por mbi të gjitha sfiduese për BE-në, ku Ballkani Perëndimor të ishte një oaz i lirë, i paangazhuar, i ndërthurjes së interesave të Lindjes dhe Perëndimit, një vazhdimësi e idesë së Titos për vendet e paangazhuara dhe kërkesës së Rusisë që për të rritur influencat në Ballkan duhet prishur arkitektura perëndimore. Ky pozicion “komod” për autokratët Rama dhe Vuçiç do t’ju mundësonte atyre një qeverisje të përjetshme.
Në kushtet e diskreditimit të plotë të regjimit të tij kleptokratik dhe rritjes së protestës popullore, Rama iu rikthye skenarëve të vjetra anti-kombëtare jo vetëm si presion ndaj perëndimit por edhe shpëtim ndaj vetvetes.
Rikthimi i Vuçiç në skenën politike, kur ai është bërë një figurë e papranueshme për vetë serbët që kërkojnë ndryshim, nuk është vetëm një bashkëpunim për të shpëtuar vetveten, por edhe një lëvizje e detyrueshme për të fshehur prapaskenat e bashkëpunimit mes tyre.
Letra e përbashkët Rama-Vuçiç është një kundërpërgjigje ndaj Gjermanisë dhe qëndrimit të saj kritik për regresin demokratik, kapjen e shtetit dhe mosfunskionimin e institucioneve. Qëndrimi i Ramës kritik ndaj Gjermanisë është një humbje shprese për qëllimin e shqiptarëve për tu bërë pjesë e familjes së madhe europiane. Sot çështja qëndron jo se çfarë do të bëjë Rama për të shpëtuar pushtetin e tij të kalbur, por cila do të jetë perspektiva dhe e ardhmja e Shqipërisë, fuqizimi i faktorit shqiptar në Ballkan, për të mos rrezikuar më sovranitetin e Kosovës dhe për të mbrojtur të ardhmen tonë perëndimore.
Regjimi i Ramës duhet të largohet sa më shpejt dhe kjo duhet të jetë detyra patriotike e çdo shqiptari kudo që ndodhet.