Connect with us

Kronike

“Dhëndri më ofroi të bëhesha pronar”/ Dosja “5D”/ Dëshmon pronari i ‘VAS Konstruksion’

Pronari i VAS Construction, Petrit Muhameti, i marrë nën hetim për Dosjen 5D u mor sot në pyetje nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion.

Ai pranoi se dhëndri, Alfred Qato, i kishte ofruar të bëhej pronar i kompanisë, raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha. Muhameti tregon se në kompani nuk shkonte, ndërsa paratë i kalonin në llogari bankare.

Petrit Muhameti: Vëllai i Mariglen Qatos, është martuar me gocën time. Kam në pronësi një furrë buke. Ka afërsisht 16-17 vjet që e kam. Një firmë VAS Konstruksion, m’u ofrua të bëhesha pronar, nga viti 2016-2017. Ma ofroi dhëndri im, Alfred Qato. Ëshë një firmë e mirë më tha, do jesh pronar i kësaj kompanie. Nuk do bësh asgjë, ke staf për punën, vetëm do të firmosësh. Hapa një llogari në bankë për të tërhequr lekët. Hapa një numër llogarie. Banka më niste njoftim, të tërheq shumën, 40 milionë lekë të vjetra. I merrja lekët, ia jepja Fredit, e shkonin në arkën e vogël të shoqërisë. Dy herë shkova në bankë.

Pas një viti e shita, se pata një operacion zemre. Doktori më tha duhet t’u largohem streseve. I kërkova Alfredit të hiqja dorë. Kur e bleva nuk mora lekë, edhe kur e shita me 10 milionë lekë, nuk mora lekë. Nestori nuk më ka kaluar shumë monetare. Kur unë isha ortak, nuk njihja asnjë nga punonjësit. Kam shkuar një herë të kompania.

SPAK: Eduard Metën e njihni?

Petrit Muhameti: Më kanë pyetur edhe te Byroja për këtë. Nuk e njoh zoti prokuror. Nuk e di kush është. Mora vesh se ky kishte kompaninë IGOR para meje, por tani e kam marrë vesh.

Më tha Fredi që hap një numër llogarie. Fitimin e kompanisë do e procesonim nga banka. Më pëlqeu se thashë është punë me bankë. Puna ishte 25 minuta, ia jepja Fredit. Nga 32 milionë lekë të vjetra, pasi ndërruam bankën, ia dhashë Nestorit, 4 herë.

Shumat ishin 42 milionë më e madhja, 32, 37, 38, 40, 18 milionë ishte më e vogla. Më tha Fredi mua, ta takoja Nestorin. Me Mariglen Qaton, kemi marrëdhënie krushqie.

Në vitin 2006 erdhi se më vdiq babai. Në 2011, te dasma e vajzës dhe për ditëlindjen e nipit 10 vjet më pas. Tre herë e kam takuar. Për Redi Mollën e dëgjova për herë të parë në televizor, kur u arrestua për grupin 5D.

Administrator mora vesh ishte Nestori, në 2019. Fredi më tha. Nestorin e kam takuar 3 herë e mbaj mend tamam, por mund ta kem takuar dhe një herë të katërt. E takoja pranë bankës, në bllok. Firmosja unë në bankë për tërheqjen numri im i llogarisë. Asnjë qindarkë nuk kam marrë, asnjëherë. As nga shuma që kam dorëzuar nuk kam marrë. Fitimi më kishin thënë mua kalonte në bankë. Ato tërhiqja unë. Afro 25 muaj ka zgjatur që unë kam shkuar, mund të shkoja një herë në 3 muaj, 4. Kur më sillte mesazh banka.

Advertisement