Connect with us

Sport

“Dhimbje dhe hakmarrje”, rrëfimi special i Ibrës: Jam më i mirë se CR7-ta

Zlatan Ibrahimoviç është zgjedhur “Sulmuesi suedez më i mirë” për vitin 2020. Me rastin e çmimit ai ka folur për të përditshmen “Sport Bladet” duke ofruar një rrëfim të plotë mbi vitin e fundit të karrierës.

Çfarë ju shtyn të ruani ende ritmin në këto nivele kaq të larta?

Sa herë zbres në fushë dhe vesh këpucët e futbollit them me vete: Kjo është ajo që dua të bëj, kjo është ajo që do të bëj sepse ky është pasioni im, miku im më i mirë. Pa futbollin nuk do të isha ky që jam, pa një top nuk do të shpërndaja dot gëzim. Pa të ndihem i humbur. Si po shkon riaftësimi pas dëmtimit të pësuar kundër Napolit? Asgjë e rëndë, do më duhet një ose dy javë për t’u rikthyer.

A ju mungon kombëtarja suedeze?

Po, dua të shoh stadiumin “Friends Arena” të stërmbushur me fanella të verdha. Mua më mungon ai emocion sepse fundja, kush nuk ndjen mungesën e diçkaje do të thotë se e ka mbyllur atë kapitull. Unë, ndërkohë vijoj të jem në fushë.

Në Itali jeni një ndër simbolet e luftës me Koronavirusin. Si ishte infektimi juaj?

Nuk e kalova rëndë, thjesht qëndrova në izolim për disa javë. Kur testi im doli pozitiv më detyruan të largohem nga stërvitja ndërkohë që unë bëja një mori pyetjesh. Përpara se të izolohesha e bëra tre herë analizën. Pas tri ditësh në shtëpi nisa të kem dhimbje koke, por nuk e kuptoja nëse e kisha nga izolimi duke qenë se bëja çdo ditë të njëjtat gjëra.

Kur flija nisa të kem dhimbje shpine dhe zgjohesha në 3 të natës për të pirë disa ilaçe. Gjithmonë kam qenë kundër këtyre gjërave, por ja që dhimbjet zhdukeshin pas pak minutave. Në ditën e pestë humba shijen. Nuk ndieja çfarë konsumoja e as aromën e kafes.

Jeni stërvitur në ato ditë?

Klubi më dha një plan stërvitor, por në javën e parë nuk mundesha dot sepse lodhesha shumë shpejt. Plani ishte ndërtuar enkas për të rritur rrahjet e zemrës. Simptoma të tjera nuk kam pasur, e megjithëse shija më është kthyer, aromat nuk i ndiej dot që të gjitha. Situata është serioze, por duhet të vijojmë të jetojmë jetët tona me virusin si pjesë të saj.

39 vjeç dhe shënonin më shumë se Ronaldo e Lukaku. Si e shpjegoni?

E ndiej veten gjallë dhe mund të shprehem në atë që di të bëj më mirë. Rezultatet flasin vetë dhe e kam për nder sa herë që marr një çmim, por pa punë nuk arrihet asgjë e në këtë moshë është ky lloj mentaliteti që bën diferencën. Sigurisht që kam edhe cilësi apo talent, por ndryshimi nis nga mendësia. Nëse e do, mundesh!

Mendoni se keni ndryshuar stilin tuaj ndër vite?

Ndihem mirë dhe e kam thënë gjithmonë se çdo ditë më përmirëson. Dhjetë vjet më parë isha ndryshe, pesë vite më parë një lojtar tjetër e sot jam akoma më i ndryshëm.

Mendoj se kam inteligjencën e duhur për të përshtatur trupin me mundësitë. Ka njerëz që thonë se nuk vrapoj si dikur, por unë u përgjigjem duke thënë se sot e zgjedh unë si të vrapoj për të qenë sa më i dobishëm për skuadrën. Më pas, kam edhe një trajner që përshtat manovrën me potencialin tim.

Si ju menaxhon Pioli?

Më ka shpëtuar nga detyrat mbrojtëse ndërsa për sulmin më ka lënë dorë të lirë. Kur sulmojmë mendoj me vete: “Duhet të tërhiqem për të marrë topin siç bëja dhjetë vite më parë apo të qëndroj në këmbë?” Ku mendoni se po e ndihmoni skuadrën? Kur bëj përshtatjen mes nevojës dhe mundësisë.

Këtë energji, këtë formë apo dhe vrapimet që mund të kryej. Nëse do të mundesha të vrapoja pa u ndalur për 90 minuta do ta bëja, por nuk mundem e për këtë jam i ndershëm me veten. Edhe kur bëj ndonjë sprint më duhet pak më shumë kohë për të rifituar energjitë, por në fund zgjedh unë kur duhet të bëj diçka. Nëse mendoj se mund të sakrifikohem e bëj, ndaj…

Mendoni se mund t’ju kenë nënvlerësuar?

Po, madje shumë vazhdojnë ta bëjnë sepse më shohin si egoist, por me vitet kam mësuar t’i lë pas këto gjykime. Vite më parë shihja gjëra që të tjerët nuk mundeshin, por parashikimet e mia rezultojnë të vërteta. Edhe tani kështu ndodh sepse e dalloj atë që do të ndodhë përpara se të ndodhë.

Kjo veçori bie më shumë në sy aktualisht sepse e bëj më shpesh ngaqë më duhet të përshtatem e të jem më tepër inteligjent në atë që është mënyra ime e lojës.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *