Connect with us

Rajon

“Dhoma e gazit për shqiptarët”, Presidentja maqedonase: Thirrje fashiste, plumba urrejtjeje

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova ka reaguar pas thirrjeve anti shqiptare nga tifozët në ndeshjen e basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë.

Ajo tha se populli maqedonas është i turpëruar nga thirrjet fashiste ndaj shqiptarëve

“Për shkak të analfabetizmit tonë sportiv, që ndodh për të kush e di të satën herë, me të drejtë nuk ndalen reagimet ndaj incidentit të tmerrshëm në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë, ku disa tifozë të papërgjegjshëm qëlluan me plumba urrejtjeje ndaj bashkëqytetarëve tanë shqiptarë, por në fakt, na goditën të gjithëve, madje edhe vetveten, dhe sërish jemi të turpëruar”, ka shkruar ajo në Facebook.

Sipas presidentes maqedonase, shteti duhet t’u kundërvihet urrejtjes së tifozëve dhe të mësojë se si të brohorasin. Sipas saj, Maqedonia e Veriut ka nevojë për “një alfabet të brohoritjes si kënaqësi sportive”.

“Maqedoni e pastër”, “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”, ishin disa nga parullat e tifozëve vendas.

Postimi i plotë

Në mes të korrikut, në ndeshjen mes Shkëndijës dhe kampionit uellsian TNS, me fyerjet raciste të futbollistit Armand Ote, e tronditëm gjithë botën sportive, por edhe atë më të gjerë, e cila me të drejtë pyeti: Si është e mundur që një tifoz i papërgjegjshëm të thyejë emocionalisht një futbollist të nivelit të lartë deri në lot, duke përdorur gjuhë urrejtjeje mbi baza racore?

Turpi ra mbi të gjithë: mbi organizatorin, klubin, të pranishmit, qytetin, shtetin, sportin! Përfundimi i vetëm i logjikshëm ishte: “Kjo lloj sjelljeje nuk duhet të tolerohet në asnjë stadium, në asnjë sport, asnjëherë dhe askund.”

Dhe… për shkak të, kush e di për të satën herë, analfabetizmit tonë sportiv, me të drejtë nuk pushojnë reagimet për incidentin e tmerrshëm në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë, ku disa tifozë të papërgjegjshëm “gjuajtën” me plumba urrejtjeje ndaj bashkëqytetarëve tanë shqiptarë, por plagët na i shkaktuan të gjithëve, përfshirë edhe vetveten. Dhe sërish jemi të turpëruar.

U abuzua në fushën sportive për “stërvitje” të gjuhës së urrejtjes, për fyerje dhe satanizim me fjalë helmatisëse vdekjeprurëse – si predha!

Pas kaq shumë betejash të humbura njerëzore në fushat sportive, duhet ta themi qartë dhe zëshëm: Kurrë më, kudo që të jemi dhe me këdo që të konkurrojmë, nuk do të lejojmë që fusha sportive të shndërrohet në arenë gladiatorësh për tifozë të egër.

Sigurisht, mësimi i parë “si të bëhesh tifoz” mësohet në shtëpi, dhe pas tij radhiten të tjerët: në kopsht, në shkollë fillore, në gjimnaz, në universitet, në klub, në ndeshje, në tribunë.

Ndoshta për fillim, para çdo ndeshjeje, duhet të dërgohet një mesazh paralajmërues për publikun që të fikin mendimet dhe fjalët e këqija, njësoj siç i fikin telefonat e tyre, sepse ndeshja nuk është betejë për jetë a vdekje, por një duel kalorësor drejt një fitoreje të merituar. Prej publikut pritet mbështetje, inkurajim dhe përkrahje – jo fyerje e plagosje. Duhet të fitojë më i miri, por gjithashtu të respektohet tjetri. Tifozëria është shpërblim, jo ndëshkim.

Le të kujtojmë se turpi nuk bie vetëm mbi ata që lëshojnë fjalë fyese, sepse ato fjalë godasin jo vetëm ata që janë në sallë ose në fushë, por edhe ata që i dëgjojnë e i shohin, për shkak të fuqisë së tyre pa kufi.

Duhet t’i kundërvihemi urrejtjes tifozësh, të kultivojmë dhe fisnikërojmë tifozërinë, të mësojmë dhe të arsimohemi si tifozë, çfarë është dhe çfarë nuk është tifozëria, të forcojmë luftën kundër paragjykimeve dhe përplasjes mes “të ndryshmëve”; duhet të njihemi e të kuptohemi, të parandalojmë shpërthimet e urrejtjes, të reagojmë në kohë, të shërojmë veprat e urrejtjes dhe t’i sanksionojmë!

Tifozëria pasionante nuk është kurrë fyese apo agresive. Na duhet një alfabet i tifozërisë si përjetim sportiv, edukim tifozësh – sepse fitorja në sport është e pavlerë nëse shoqërohet me agresion fizik apo verbal.

Advertisement