Politike
Dhuna barbare ndaj dy vëllezërve, Berisha: Banda qeveritare Rraja
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar në lidhje me dhunën e ushtruar nga fisi Rraja kundrejt atyre Maja, ku e ka quajtur si “dhunë shtazore”. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Berisha ka shprehur solidaritetin me dy të lënduarit, Bilbil dhe Jashar Maja.
Berisha shprehet ndër të tjera se Partia Demokratike dënon me ashpërsinë më të madhe krimin e shëmtuar të bandës qeveritare Rraja, dhe iu rikujton se drejtësia vonon, por nuk harron krimet e tyre të shëmtuara.
Postimi i plotë
Dhunë shtazore në Borizanë të Krujës e Xhelal dhe Flamur Rrajës, vëllezërve të deputetit Rrahman Rraja ndaj qytetarëve të pafajshëm Bilbil dhe Jashar Maja.
Të dashur miq,
Dy vëllezërit e deputetit të PS, Rrahman Rraja, Xhelal e Flamur Raja, dhe djali i këtij të fundit, kanë rrahur shtazërisht me shkopa bejsbolli dhe kërcënojnë me pistoletë qytetarët e pafajshëm, Bilbil dhe Jashar Maja, kryetar i grupseksionit të Partisë Demokratike në Borizanë.
Ky akt kriminal i fisit Rraja ka ardhur pas ankimit të vëllezërve Maja se atyre u ishte dëmtuar shtëpia nga shpërthimet në guroren që shfrytëzohej nga Rrajat. Duke shprehur solidaritetin e plotë të Partisë Demokratike, Bilbil dhe Jashar Majas, Partia Demokratike dënon me ashpërsinë më të madhe krimin e shëmtuar të bandës qeveritare Rraja dhe iu rikujton këtyre kriminelëve se drejtësia vonon, por nuk harron krimet tuaja të shëmtara. #sb