Connect with us

Politike

Dhuna me bazë gjinore, Balla: Dhuna ndaj grave dhe vajzave shkatërron shoqërinë

Dhuna ndaj grave është një shqetësim serioz për shoqërinë dhe shifrat e raportuara nga Policia e Shtetit, japin një panoramë të qartë të shtrirjes së këtij fenomeni.

Ministri Balla, u shpreh se në dy muajt e parë të vitit janë raportuar 890 raste dhune në familje, kryesisht me bazë gjinore dhe janë lëshuar nga gjykata, 465 urdhra mbrojtjeje për gra e vajza.

“Sa herë që shoh shifrat që më raportojnë nga Policia e Shtetit më duket e papranueshme që shoqëria jonë të shfaqë këto tendenca. P.sh., vetëm në dy muajt e parë të këtij viti kemi 890 raste të raportuara për dhunë dhe janë 465 urdhra mbrojtjeje për vajza dhe gra”,– u shpreh Ministri Balla gjatë një takimi të zhvilluar në Tiranë “Fem Fest ‘24”, në të cilën morën pjesë edhe Ministrja Mirela Koçiu dhe Ministrja e Drejtësisë së Kosovës Albulena Haxhiu.

Takimi ishte organizuar nga organizata të shoqërisë civile që ndjekin edhe çështjet e dhunës me bazë gjinore.

Ai theksoi se duhen bërë të gjitha përpjekjet që të krijohet një koalicion mbarëkombëtar, i cili të bëjë të njohura rastet e shpëtimit nga dhuna.

“Në mënyrë që ta luftojmë si duhet këtë fenomen e kjo luftë të fitohet ose, të paktën, fillon të shërohet, nëse krijojmë një koalicion mbarëkombëtar për t’i nxjerrë rastet pozitive të shpëtimit ndaj dhunës si një fitore“, – u shpreh Balla.

Sipas të dhënave, viti 2023 regjistroi 11 humbje jete të grave në mbarë territorin.

Advertisement