Kronike
Dhunoi për vdekje Egli Progën, Prokuroria zbut akuzën për Denis Meçin – “Shpëton” me gjobë ose 5 vite burgim?
Denis Meçi, i riu që akuzohet si autor i vrasjes së Egli Progës në Pogradec doli sot para Gjykatës së Korçës, ku u njoh me masën e sigurisë arrest me burg. 3 të tjerët që nuk kallëzuan krimin u lanë nga Gjykata në masën detyrim paraqitje.
Por, kjo histori është veshur me hije dyshimi. Në fillimet e saj u raportua si një vdekje aksidentale, me pretendimin se 42-vjeçari ka qenë në gjendje të dehur dhe është rrëzuar në tokë e më pas humbi jetën në spital.
Por në fakt, vrasja e 42-vjeçarit u raportua vetëm pasi ai humbi jetën në spital më 10 gusht. Ai ishte dhunuar brutalisht në rrugë nga Denis Meçi, i cili më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Pas familjarët kanë konstatuar shenjat e dhunës në trupin e Egli Progës, policia e raportoi si vrasje dhe njoftoi arrestimin e autorit të dyshuar Denis Meçi dhe 3 të tjerëve që nuk kallëzuan krimin.
Policia kishte referuar ngjarjen në Prokurori si vrasje me dashje, akuzë e cila sipas Kodit Penal të Shqipërisë dënohet nga 10 deri në 20 vjet burg.
Por Prokuroria, pas 48 orësh, kur e ka dërguar dosjen për vlerësim në gjykatë ka ndryshuar akuzën për Denis Meçin, duke e referuar tashmë ngjarjen si vrasje nga pakujdesia, duke e zbutur atë në maksimum. Kjo vepër penale dënohet me gjobë ose me burgim gjer në 5 vjet.
Rrahja brutale që Denis Meçe i ka bërë Egli Progës, që ka shkaktuar vdekjen e këtij të fundit, nga prokurorja e çështjes Vasjana Postol është cilësuar si vrasje nga pakujdesia. Këtë masë e ka konfirmuar edhe gjyqtarja Luljeta Kolonja duke e lënë të riun në masën në arrest me burg.
Njoftimi i Policisë së Korçës për arrestimin e Denis Meçes dhe akuza e referuar në Prokurori
“Konfliktohet për motive të dobëta me një shtetas dhe gjatë konfliktit i shkaktoi dëmtime me pasojë vdekjen, kapet dhe vihet në pranga nga Policia autori i dyshuar. Në pranga edhe tre shtetas të tjerë për moskallzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Në lagjen nr. 1 Pogradec, gjatë një konflikti për motive të dobëta shtetasi Denis Meçe, 29 vjeç, dyshohet se jashtë ambienteve të një lokali është konfliktuar fizikisht me shtetasin Egli Proga 42 vjeç, i cili gjatë konfliktit fizik është rrëzuar në tokë pa ndjenja dhe për pasojë ka ndërruar jetë.
Shtetasi Denis Meçe, 29 vjeç, pas konflikt është larguar nga vendi I ngjarjes por falë reagimit në kohë të Policisë u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij për veprën penale “Vrasja me dashje”.
Në vijim të veprimeve për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje, shërbimet e Seksioni për Krimet Kundër Personit në DVP Korçë në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasit:
Voltan Shulku, 40 vjeç, Arian Manellari, 55 vjeç, dhe Leonidha Guçe, 47 vjeç, për veprat penale “Moskallëzim krimi”, dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Këta shtetas kanë qenë të pranishëm kur ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë kallzuar krimin duke penguar zbardhjen e së vërtetës.
Materialet proceduriale i kaluan Prokuroris pranë Gjykatës së shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë”, njoftoi policia më 10 gusht.