Aktualitet
Dhunoi sekretarin e KZAZ në Kashar dy ditë më parë, lihet në burg Rei Nozlli

Prokuroria e Tiranës ka lënë në burg 26-vjeçarin Rei Nozlli, i cili goditi me grushte sekretarin e KZAZ 30 në zonën e Kasharit në Tiranë, teksa numëroheshin fletët e votimit. Bëhet me dije, se i riu gjatë procesit të numërimit të votave, ka dhunuar sekretarin e kësaj qendre të numërimit të votave, Remzi Memedi. Numëruesi deklaroi të pavlefshme një votë, Nozlli dhe disa persona të tjerë që ndodheshin me të, kanë kundërshtuar këtë vendim. Mësohet se ai dhe disa persona të tjerë qëndronin në ambientet e numërimit të votave dhe ndiqnin procesin, pa patur statusin e vëzhguesit të asnjë subjekti politik.
“Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës të Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, shtetasi R.N. u la në masën e sigurisë ‘Arrest në burg’ për veprën penale ‘Kanosje apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje’ parashikuar nga neni 329/3 i Kodit Penal. Në datën 15.05.2025, në KZAZ nr.30, Kashar, ka qenë duke u zhvilluar procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë që kanë garuar në zgjedhjet e përgjithshme të datës 11.05.2025. Rreth orës 14.00’, gjatë procesit të numërimit, numëruesi përkatës ka deklaruar të pavlefshme një votë dhe atë moment shtetasi R.N. dhe disa persona të tjerë që ndodheshin me të, kanë reaguar duke bërtitur, duke shprehur mosdakortësinë me këtë vendim të numëruesit.
Këta persona qëndronin në ambientet e numërimit të votave dhe ndiqnin procesin, pa patur statusin e vëzhguesit të asnjë subjekti politik. Mbas identifikimit të këtij reagimi, kallëzuesi R.M., në cilësinë e sekretarit të KZAZ nr.30 dhe në ushtrim të detyrës funksionale, u kërkoi të qetësohen, pasi do të mblidhte komisionin dhe do të bënin vlerësimin e votës së kontestuar, por grupi i personave nuk ndaloi dhe vijuan me fjalë fyese. Në këtë situatë, kallëzuesi u kërkoi që të qetësohen, mbasi përndryshe do t’i nxirrte jashtë nga ambienti i numërimit të votave. Menjëherë mbas kësaj, shtetasi R.N. kaloi shiritin e perimetrit të sigurisë dhe shkoi drejt tij duke e goditur me grushta dhe shkelma. Mbas tij shkuan edhe personat e tjerë, por numëruesit që ishin aty afër ndërhynë, duke u munduar që t’i mbajnë fizikisht.
Në përfundim të veprimeve paraprake të kryera, u arrestua shtetasi R.N. i dyshuar si autor i veprës penale ‘Kanosje apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje’ parashikuar nga neni 329/3 i Kodit Penal”, njofton Prokuroria

