Kosova
Dhunoi të moshuarën, infermierja kyçet në shtëpi
Pas lirimit të 3 infermiereve në Kosovë të cilat akuzohen se dhunuan gruan e moshuar brenda azilit, emisioni Uniko nga Spartak Koka ka udhëtuar drejt Pejës.
Gazetari ka shkuar drejt banesës së infermieres Aurona Pelaj në Pejë, e cila ishte dhe protagonistja në videon e dhunës brenda qendrës së të moshuarve Orenda.
Dera e shtëpisë së familjes së Auronës është e mbyllur. Dritaret të mbyllura e grilat të ulura. Komshinjtë e Auronës thonë se anëtarët e familjes Pelaj nuk janë aty.
Ata refuzojnë që të flasin për mediat dhe thonë se babai i Auronës nuk është i interesuar për të folur me askënd për çështjen e vajzës së tij, që bëri bujë dhe shkaktoi zemërim të madh publik në fillim të muajit Nëntor pasi infermierja Aurona Pelaj bashkë me 2 koleget e saj dhunuan fizikisht një grua të moshuar brenda azilit Orenda në Pejë.
Gazetari që shkoi në shtëpinë e Auronës tentoi të merrte një prononcim të shkurtër nga infermierja, tashmë e shkarkuar nga detyra, ndoshta dhe një ndjesë publike prej saj për veprimin që ka bërë.
“Ne provuam të kishim një prononcim në fshatin Novosellë me Aurona Pelajn në shtëpinë e saj, dera ishte e mbyllur. Të afërmit e saj thanë që as ajo as familjarët e saj nuk duan të japin asnjë lloj prononcimi, as edhe një mesazh ndjese për çfarë ka bërë dhe çfarë ka shkaktuar, dhunën ndaj të moshuarës Minire Nuraj”, thotë gazetari./INA