Shkrime
Dialogu dhe kooperimi Francë-Europë me Kinën si alternativë për paqe
Nga Artur Nura
Presidenti i Republikës Franceze, Emmanuel Macron, realizoi në Kinë një vizitë tre-ditore, e para që nga viti 2019 dhe fillimit te pandemise Covid 19. Presidenti francez Macron u prit fillimisht nga ministri i Jashtëm kinez Qin Gang pikerisht në takimin me komunitetin francez të Kinës duke i dhënë startit të vizitës së dialogut me gjigandin aziatik dimensionin ekonomik bilateral dhe europian. Duke folur me komunitetin francez, në takimin e parë në rendin e ditës, Macron tha se Kina mund të luajë një “rol të rëndësishëm” në kërkimin e një “rruge drejt paqes” në Ukrainë. Parisi do të angazhohet “për këtë përgjegjësi të përbashkët për paqen dhe stabilitetin” – premtoi Macron në këtë takim. Nga ana tjetër, kreu i Elysee vërejti se Evropa nuk duhet të “ndahet” ekonomikisht nga Dragoi Aziatik: “Ne nuk duhet të shkëputemi dhe të ndahemi”, Franca “do të marrë përsipër në mënyrë proaktive të vazhdojë të ketë marrëdhënie tregtare me Kinën” – vazhdoi Macron. Me këtë rast duhet kujtuar që Macron ka synuar gjithmonë të vendosë marrëdhëniet dypalëshe franko-kineze në kuadrin evropian dhe, se gjithmonë në dimension rreptësisht francez: “qëllimi për të “bërë të shkëlqejë ekonominë kombëtare” dhe “rinisjen e tregtisë së jashtme”, siç theksohet nga mediat franceze të paktën! Pikërisht për këtë arsye, rreth gjashtëdhjetë drejtues të kompanive të mëdha franceze shoqëruan presidentin Macron në Kinë me qellimin të nënshkruajnë kontrata të rëndësishme dhe midis tyre përmenden drejtuesit e Edf, Alstom, Veolia dhe Airbus. Sipas burimeve të Elysee, qëllimi i vizitës shtetërore është të shmanget më e keqja, pra mbështetja ushtarake nga Pekini për Rusinë. Jo rastesisht, klima mes BE-së dhe Kinës është e tensionuar dhe Von der Leyen, bashkë shoqeruesje gjermane e Komisionit Europian në këtë vizite, kohët e fundit kish vërejtur publikisht se “si Kina do të vazhdojë të reagojë ndaj luftës së Putinit do të jetë një faktor përcaktues për të ardhmen e marrëdhënieve” midis Pekinit dhe Brukselit. Ambasadorja kineze në Unionin Europian, Fu Cong, replikoi me zyrtaren e lartë të BE duke i uruar vizitë te sukseshme në Kinë dhe duke i thënë: “Shpresojmë që dialogu juaj me drejtuesit kinezë do t’ju ndihmojë të kuptoni më mirë Kinën”.
Nderkohe Ukraina dhe tregtia ishin çështjet kryesore që synoi të trajtojë edhe Ursula von der Leyen, e cila synon të hapë një faqe të re në marrëdhëniet dhe dialogun midis Brukselit dhe Pekinit, me kusht që superfuqia të zgjedhë rrugën e respektimit të rregullave ndërkombëtare në vend të asaj të “miqësisë së pakufizuar”. me Rusinë. Pra pas së gjithash, Emmanuel Macron dhe Ursula von der Leyen në Pekin, qellim bazë kishin afrimin e Kinës me Evropën dhe për ta përfshirë nëpërmjet dialogut në procesin e paqes në Ukrainë.
“Në këto kohë të vështira, dialogu mes vendeve tona është edhe më vendimtar”, tha presidenti francez, pak para takimit ballë për ballë me homologun e tij Xi Jinping.
Qartazi qëllimi i misionit diplomatik europian është të shtyjë Pekinin të marrë një pozicion të qartë në favor të Ukrainës në rezistencën ndaj pushtimit rus. Në fakt, edhe pse zyrtarisht neutrale, Kina ka demostruar në disa raste të tregojë mbështetje për Putinin, të cilin Xi Jinping e vizitoi së fundmi në Moskë. Sipas DW, BE dhe Kina kane rënë dakord që marrëdhëniet e tyre tregtare duhet të ribalancohen. Po ashtu ato thanë se duhet të fillojnë bisedimet e paqes në Ukrainë. Në takimin me presidentin kinez Xi, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen u shpreh kundër dërgimit të armëve në Rusi. Von der Leyen tha më pas për gazetarët se ajo po llogarit që Kina të mos i vërë në dispozicion Rusisë asnjë pajisje ushtarake “direkt ose indirekt”. Armatosja e agresorit është kundër ligjit ndërkombëtar dhe do të dëmtonte rëndë marrëdhëniet tona. Si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina ka një përgjegjësi të madhe.
“Kam inkurajuar presidentin Xi Jinping të kontaktojë Presidentin Zelensky dhe, ishte interesante të dëgjoja presidentin Xi të përsëriste gatishmërinë e tij për të biseduar (me të) kur koha dhe kushtet të jenë më të përshtatshmet”, – vazhdoi Ursula von der Leyen në konferencën për shtyp duke shprehur kënaqësi për këtë rezultat diplomatik pozitiv.
“Ekonomitë tona janë shumë të ndërlidhura, por deficiti tregtar i BE-së po zgjerohet për shkak të praktikave diskriminuese: Unë kam diskutuar me kryeministrin kinez Li se si të ribalancojmë tregtinë tonë dhe ne duhet të rifillojmë dialogun tonë të nivelit të lartë ekonomik dhe tregtar për t’u angazhuar në këtë kuptim” – shkroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Twitter duke mbeshtetur qendrimin politik se dialogu eshte rruga më e mirë!