Kosova
Dialogu në duart e Pahor/ Një ‘Lojtar i Ri’ për Ballkanin Perëndimor
Ish-Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka thënë se, duke pas parasysh përvojën e gjatë politike që ka, mund ta ndryshojë “lojën” në dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i cili aktualisht është në ngërç total.
Pahor ka një kohë që e ka shpallur kandidaturën për të marrë pozitën e të Dërguarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, duke zëvendësuar kështu Miroslav Lajçak-un, të cilit së shpejti i përfundon mandati. Madje, për këtë, Pahor ka treguar se është ftuar në mars nga Lajçak në Bruksel, i cili, pohon, se e ka pyetur nëse do të ishte i gatshëm ta konsideronte vazhdimin e punës së tij në rast se do t’i jepej mandati nga Unioni.
“Edhe atëherë isha i vetëdijshëm për të gjitha grackat që e presin atë që merr përsipër këtë detyrë, por vendosa ta bëj. E dija se nuk do të funksiononte pa mbështetjen e aktorëve kryesorë në politikën sllovene. Ata ma dhanë, për të cilën i jam mirënjohës”, – ka thënë Pahor në një intervistë për rrjetin ballkanik të lajmeve “N1”.
Por, ish-kryeministri slloven potencoi se më pas diçka ndryshoi në Bruksel, përsa i pëkret kësaj teme. “Nuk i di të gjitha arsyet pse këshilli i ministrave të jashtëm të BE-së vendosi në qershor të zgjasë mandatin e Lajçak për gjysmë viti, pra deri më 31 janar” – tregoi Pahor
Përkundër kësaj, ish-presidenti i Sllovenisë u shpreh i gatshëm që ta plotësojë këtë pozitë nëse emërohet.“ Unë jam këtu me përvojën time, arritjet, njohuritë dhe autoritetin e dikujt që pranohet si ndërmjetës i ndershëm në Kosovë, Serbi dhe Ballkanin Perëndimor, si dikush që e zgjidhi problemin me Kroacinë në mënyrë paqësore, normalizoi marrëdhëniet me Serbinë kur Sllovenia njohu Kosovën dhe pati një përshkallëzim, dhe si dikush që themeloi dhe udhëhoqi procesin Brdo-Brioni”- potencoi Pahor duke theksuar se “mund të jetë një ‘ndryshues i lojës’”.