Bota
Dialogu premtues/ Putin: Nuk do ti shesim kurrë 20% të Ukrainës që kemi pushtuar

Kremlin-i e ka cilësuar “premtues” dialogun mes Vladimir Putin dhe Donald Trump, pasi ky i fundit është bërë gjithnjë e më armiqësor ndaj Ukrainës, në një kohë kur Moska dhe Washington-i po negociojnë një samit.
“Dialogu po zhvillohet midis dy presidentëve vërtet të shquar. Është premtues. Është e rëndësishme që asgjë të mos ndërhyjë në zbatimin e vullnetit të tyre politik”, tha zëdhënësi presidencial rus Dmitry Peskov, i pyetur nga televizioni për vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara ndaj Kyiv-it dhe deklaratat armiqësore të Donald Trump ndaj presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
Kremlin-i paralajmëroi gjithashtu se Rusia “nuk do të shesë kurrë” territoret ukrainase që ajo pushton, të cilat përfaqësojnë rreth 20 për qind të Ukrainës, në një kohë kur rusët dhe amerikanët janë angazhuar në bisedime dypalëshe për t’i dhënë fund konfliktit.
“Gjëja më e rëndësishme për ne është se njerëzit (në këto territore – ed.) kanë vendosur prej kohësh të bashkohen me Rusinë. Dhe askush nuk do t’i shesë kurrë këto territore”, tha Dmitry Peskov, që do të thotë se Moska nuk ka ndërmend të bëjë asnjë lëshim për këto pushtime ushtarake.
Së fundi, Kremlin-i e konsideroi “plotësisht të kuptueshëm” reagimin armiqësor të presidentit amerikan Donald Trump ndaj homologut të tij ukrainas Volodymyr Zelensky, i cilësuar të mërkurën e kaluar si një “diktator”, në mes të afrimit ruso-amerikan.
“Zelensky bën deklarata të pasakta për krerët e shteteve. Ai e ka bërë këtë në disa raste”, akuzoi Dmitry Peskov. “Asnjë president nuk do ta toleronte këtë lloj trajtimi. (…) Prandaj ky reagim është plotësisht i kuptueshëm”, tha ai.
Volodymyr Zelensky kishte pohuar se presidenti amerikan jetonte në një “hapësirë dezinformimi” ruse pasi Donald Trump akuzoi Ukrainën si përgjegjëse për konfliktin e shkaktuar nga Moska më 24 shkurt 2022.
Rusia lëshoi 267 dronë kundër Ukrainës në të gdhirë të së dielës, “një rekord” që nga pushtimi rus i 24 shkurtit 2022, thanë Forcat Ajrore të Ukrainës, në prag të përvjetorit të tretë të sulmit rus në shkallë të gjerë.
“267 dronë të armikut u vunë re në qiellin e Ukrainës, që është një rekord për një sulm të vetëm” që nga fillimi i pushtimit, tha në Facebook zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës, Yuri Ignat.

