Politike
‘Diaspora ka në dorë ndryshimin politik…’/ Adriatik Lapaj sfidon Ramën: Të miratojë votën e diasporës
Koordinatori i Lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’, Adriatik Lapaj ka sfiduar kryeministrin Edi Rama duke i kërkuar atij të miratojë votën e diasporës.
Lapaj deklaron se në stadiumin në Athinës, Rama përdori administratën shtetërore. Ai shtoi se Rama përtej propagandës, duhet që të zgjidhë problemet reale të emigrantëve shqiptarë.
“Diaspora jonë ka forcën të ndryshojë situatën politike në Shqipëri. Ne kemi depozituar projektligjin për votën e diasporës dhe atë për listat e hapura. Siç kanë dalë dhe do të dalin fakte, administrata ka qenë e pranishme në stadium. Sigurisht që një pjesë kanë shkuar për kuriozitet. Sfidoj kryeministrin, të miratojë votën e diasporës, të fitojë dhe këtu dëshmon mbështetjen e diasporës për të. Nëse e ka diasporën me vete, të miratojë votën e emigrantëve, ta bëjë se ka edhe votat, se unë vetëm dëshirën kam. Mua më udhëheq vetëm parimi i ligjit, çdo shtetas shqiptar që mban pasaportë shqiptare duhet të votojë.
Duhet adresuar çështja e pensioneve e shqiptarëve në Greqi. Nuk është me të thënë, duhet ta bëjë, sepse është kryeministër dhe e ka në dorë. Problem janë radhët në kufi, problem tjetër janë certifikatat e pronësisë për pronat që shqiptarët kanë në Greqi. Këta kanë miratuar ligje në bazë të interesave. Në Shqipëri është krijuar filozofia që kush shkon “lart” do të vjedhë. Ne na mbështesin për shkak të parimeve tona dhe përballjen tonë me këtë qeveri. Ne shohim burimin e problemit. Gjithçka vjen sepse çdo gjë merret pa garë. Nuk është problemi se kush vjen në pushtet, por të vendosen disa parime për shtetbërje. Njerëzit e dinë të vërtetën dhe ndryshimi do të vijë”, tha Lapaj.