Connect with us

Politike

Diaspora u regjistrua/ Deri tani 239 mijë shqiptarë që jetojnë jashtë janë pranuar të votojnë në zgjedhjet e 11 majit

Ka shkuar në  239 mijë numri i shqiptarëve që jetojnë jashtë dhe që janë regjistruar për të pasur mundësinë të votojnë në zgjedhjet e 11 majit. KQZ mbylli mesnatën e së martës aplikimet online, duke grupuar shifrën totale të 294,155 zgjedhësve në diasporë që bënë kërkesë për regjistrim, ndërkohë gjatë ditës së djeshme ka vijuar shqyrtimi i  kërkesave të mbetura nga 294,155 që ishin bërë deri në mbarim të afatit.

Ndërsa nuk u dha shans për të rishikuar mbi 42 mijë kërkesa të refuzuara, për shkak të gabimeve në fazën e rregjistrimit apo dokumentacionit jo të plotë.

Rregjistrimet e zgjedhësve nga jashtë vendit, tejkaluan pritshmëritë fillestare si të Komisionit Qendror të zgjedhjeve ashtu dhe të vetë partive politike.

Numri më I madh I shqiptarëve të regjistruar është nga Italia, mbi 148 mijë kërkesa, renditur më pas nga Greqia me mbi 103 mijë kërkesa.

Në vend të tretë me mbi 36 mijë kërkesa janë emigrantët nga Gjermania, të pasuar nga mbi 24 mijë nga Shtetet e Bashkuara.

Në total, kërkesat për pjesmarrje në zgjedhje kanë qenë nga mbi 100 shtete.

Sipas parashikimeve ligjore, vota e migrantëve do të llogaritet në qarkun ku ata kanë residencën në Shqipëri. Mbi 74  mijë votues të rregjistruar i përkasin Tiranës, e pasuar nga Fieri me mbi 49 mijë votuesë nga jashtë dhe Durrësi e Elbasani me mbi 38 mijë të tillë. Brenda datës 9 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të publikojë listën paraprake të këtyre zgjedhësve. Emrat e tyre do të hiqen më pas nga lista e votuesve në Shqipëri.

Shifrat e deritanishme të të rregjistruarve, dëshmojnë se vota e migrantëve mund të ketë një ndikim jo të pakët, veçanërisht në qarqet, ku mandati i fundit mes palëve, është ndarë në të kaluarën, me një diferencë të ngushtë votash. Një fenomen i parë kryesisht në disa qarqe të vogla, por dhe në ato me shumë deputetë, si në rastin e Fierit.

 

Advertisement