Shkrime
Diella si barcaletë në mediat ndërkombëtare, tani rrezikon edhe “fytyrën”
Aventura e Diellës, “ministrës me inteligjencë artificiale” që u prezantua me bujë si simbol i një Shqipërie futuriste dhe si armë kundër korrupsionit në prokurimet publike, sot duket se ka marrë goditjen përfundimtare. Sepse avatarja e promovuar nga kryeministri si inovacion botëror në qeverisje tashmë ka një problem ligjor për përdorimin e imazhit të aktores që i dha fytyrën, Anila Bisha.
Nisma që duhej të ishte një hap më tej në luftën kundër korrupsionit ngjan sot si një perde e grisur pas së cilës kanë shpërthyer skandalet e korrupsionit që propaganda nuk arriti t’i mbulojë. Për më shumë lexoni shkrimin e Politico.eu.
Nga Alice Taylor
Ministrja e Shtetit për Inteligjencën Dixhitale e Shqipërisë, zyrtarja e parë virtuale në botë, mund të mbetet së shpejti pa fytyrë, pasi aktorja mbi të cilën u modelua po e çon qeverinë në gjykatë.
Në gusht 2025, kryeministri shqiptar Edi Rama tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare duke hedhur idenë e një ministri apo kryeministri me inteligjencë artificiale. Një muaj më vonë, ai prezantoi Diellën, një zyrtare e fuqizuar nga inteligjenca artificiale, e ngarkuar me luftën kundër korrupsionit në prokurimet publike.
Diella ishte tashmë e njohur për shqiptarët si chatbot në portalin qeveritar të shërbimeve e-Albania. Avatari u ndërtua duke përdorur fytyrën dhe zërin e aktores Anila Bisha, në bazë të një kontrate që skadoi më 31 dhjetor 2025. Ngritja e avatarit në nivel ministror në shtator të vitit të kaluar bëri që imazhi i saj të merrte jetë në një fjalim në Parlament, i transmetuar në mbarë botën.
Por Bisha thuhet se tashmë ka paditur Këshillin e Ministrave, kryeministrin, një kompani private të përfshirë në projekt dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Ajo pretendon se qeveria ka vijuar përdorimin e imazhit të saj përtej afatit dhe fushës së rënë dakord, e cila ishte e kufizuar vetëm në platformën e-Albania.
Në dokumentet gjyqësore të publikuara nga disa media vendase, Bisha kërkon një masë pezullimi për të ndaluar menjëherë përdorimin e imazhit të saj deri në përfundim të çështjes. Ajo pretendon se ka pësuar dëme të konsiderueshme dhe të pakthyeshme nga përdorimi i paautorizuar i identitetit të saj.
Bisha kishte shpjeguar më herët gjatë një interviste televizive në shtatorin e kaluar se kishte regjistruar materiale të shumta video dhe audio për chatbot-in e e-Albania, për një periudhë të kufizuar dhe kundrejt një pagese simbolike, pa dhënë leje për përdorime të tjera.
Zëdhënësja e qeverisë shqiptare, Manjola Hasa, i tha POLITICO-s: “Shqipëria është një vend i lirë demokratik ku, si në çdo vend tjetër pa censurë, njerëzit janë të lirë të mendojnë dhe të veprojnë përmes rrugëve ligjore kundër qeverisë. Sipas nesh, kjo padi është pa kuptim, por ne e mirëpresim mundësinë për ta zgjidhur njëherë e përgjithmonë në një gjykatë.”
Bisha nuk iu përgjigj kërkesës për koment deri në momentin e publikimit të lajmit./Politico.eu