Connect with us

Kosova

Digjet lokali i nënkryetares së Zveçanit, ndihmoi punësimin e serbëve në institucionet e Kosovës

Nënkryetarja e komunës së Zveçanit, Natasha Tomanic, njoftoi se orët e para të mëngjesit të sotëm, një lokal në pronësi të saj ka marrë zjarr.

Numri dy i policisë për veriun e Kosovës, Veton Elshani pohoi për REL se zjarri “dyshohet se është shkaktuar qëllimisht”, ndërsa një hetim ka nisur për zbardhjen e ngjarjes.

Tomanic edhe vetë mendon se zjarrvënia nuk ka qenë e rastësishme.

Madje ajo mendon se motivi, është fakti që i ka ndihmuar serbët në Veri të punësohen në institucionet e Kosovës.

Zëvendëskryetarja e kësaj komune, që funksionon sipas sistemit të Kosovës, theksoi se aktivitetet e saj “nuk përshtaten” me Listën Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

“Atëherë kam një pyetje për ta. Pse po luftojnë që të kthehen në institucionet e Kosovës, nëse ne që kemi hyrë në institucionet e Kosovës jemi tradhtarë?”, tha ajo.

Lista Serbe, nuk ka bërë ende asnjë koment lidhur me akuzat e Tomanic.

Kjo nuk është hera e parë që pronat personale të pjesëtarëve të komunitetit serb, në komunat në veri të banuara me shumicë serbe, u vihet flaka.

Në 2023-shin, atje u dogjën me dhjetëra makina pronarët e të cilëve i kishin konvertuar targat e tyre nga serbë në targa RKS –apo Republika e Kosovës.

Çështja e targave të makinave nxiti dhe, pjesëtarët e komunitetit serb, me nismën e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë –që të bojkotonin institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022.

Pas zgjedhjeve të prillit të vitit 2023 në katër komunat në Veri të Kosovës, u zgjodhën kryetarë shqiptarë, ndërsa shumica e nënkryetarëve janë nga komuniteti serb.

Advertisement