LAJMI I FUNDIT
Dikush i ka dërguar letër Borrellit/ Vuçiç: Kjo nuk kishte ndodhur kurrë
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, akuzoi opozitën në Serbi se e ka sabotuar atë në skenën europiane për të përfituar politikisht. “Dikush nga Serbia i ka dërguar një letër kryediplomatit të Bashkimit Europian Borrell, që të mos vendosë sanksione ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, dhe as ndaj atyre që keqtrajtojnë njerëzit në Veri. Në fakt, në letër gjithashtu është kërkuar që sanksione duhet ti vendosen Aleksandër Vucicit dhe Serbisë’ – ka treguar presidenti serb, duke theksuar se “Kjo nuk kishte ndodhur kurrë, askund, në asnjë vend”. “Nëse Qeveria mund të rrëzohet kështu, me këto forma, kjo është kaq e papërgjegjshme dhe joserioze” – deklaroi presidenti serb. Kujtojmë se më datën 21 tetor, është paralajmëruar një vizitë në Beograd i pesë emisarëve amerikan dhe europian. Kreu i shtetit serb ka thënë gjithashtu se pritet të shihet se çfarë “pako” ata do të sjellin. Prej Vucic, lajmi u shoqërua edhe me një koment jo pak të rëndësishëm. Ai u shpreh se në jetë përballesh me presione të jashtme, me ata që dëshirojnë ta shkatërrojnë Serbinë në mënyra të ndryshme. “Por unë nuk besoj që ky është rasti me “pesëshen e emisarëve”. Mendoj se ata dëshirojnë të ngrejnë probleme për zgjidhjen e krizës në Kosovë në një mënyrë ndryshe nga herët e tjera” – Theksoi presidenti serb. Vlen të kujtohet se më 9 tetor, ishte mediumi Novosti, ai që paralajmëroi për vizitën e emisarëve. Pesëshja e Madhe, e përbërë nga i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, si dhe emisarët e presidentëve të SHBA-së, Francës dhe Gjermanisë dhe kryeministrit italian, do të vijnë sërish për të vizituar Serbinë. Sipas informacioneve të tyre, në tavolinë do të ketë presion edhe më të fortë që Serbia të vendosë sanksione kundër Rusisë, si dhe të zbatojë plotësisht Marrëveshjen e Ohrit, të cilën presidenti Aleksandër Vuçic nuk e ka nënshkruar.