Connect with us

Kosova

Dialogu Kosovë-Serbi/ Hapa të vegjël në fushë të minuar

Shefi i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell pas përfundimit të takimit ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se dy liderët kanë bërë progres dhe janë zotuar që të zbatohet ajo çfarë është nënshkruar në Bruksel.

“Të dy liderët kanë treguar sjellje të përgjegjshme. Palët kanë shprehur gatishmërinë e tyre për sa i përket zbatimit të kësaj marrëveshje. Negociata të mëtejme nevojiten për të gjetur modalitetet e zbatimit”, tha Borell pas takimit.

Ai gjithashtu ka vlerësuar faktin se të dy palët janë deklaruar se nuk nevojiten diskutime të tjera përsa i përket propozimit të BE-së.

“Presidenti Vuçiç dhe kryeministri Kurti janë pajtuar se nuk ka nevojë për diskutime të tjera për propozimin e BE-së, që e ka titullin Marrëveshje për rrugën drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Pasi të dy liderët u pajtuan se nuk ka nevojë për më shumë diskutime, teksti i marrëveshjes do të publikohet”, shtoi Borrell.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u takuan dje në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Blloku evropian e konsideroi takimin e djeshmem mes tyre – të gjashtin me radhë – si më të rëndësishmin. Propozimi, i cili u është dorëzuar atyre qysh në fund të verës, përkrahet edhe nga Shtetet e Bashkuara.

Propozimi evropian nuk e përmend në mënyrë specifike Asociacionin, por përfshin zotimin e të dyja palëve për t’i zbatuar të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, e ku bën pjesë edhe ajo për Asociacionin.

Advertisement