Shkrime
Disa gjëra që duhet të dini për Palestinën, para se të sulmoni Izraelin “kriminel”
Nga Endri Tafani
Janë mbi 2 milionë arabe që jetojnë në shtetin e Izraelit si shtetas me pasaportë izraelite, mbi 20% e popullsisë.
Gjuha arabe ka status special, përdoret në dokumenta zyrtare, arabet kanë xhamitë e tyre, të drejtat dhe liritë e tyre si çdo qytetar Izraelit. Kanë partitë e tyre politike, kanë përfaqësues në parlamentin izraelit, kanë patur ministra në qeverinë izraelite, kanë dhe anëtar në Gjykatën Supreme të Izraelit.
Ata janë 20% e studentëve në universitetet izraelite (aq sa janë dhe si numër popullsie). Ata janë pjesë e ushtrisë dhe policisë izraelite nga ushtarë e policë të thjeshtë e deri në rang gjeneralësh.
Vetë Jaser Arafati, themeluesi i OÇP (Organizata për Çlirimin e Palestinës) ka lindur në Kajro në 1929 dhe babai i tij kishte prona në Egjipt që nuk i mori dot në gjykatë.
Deri në vitet 60′ as nuk flitej fare politikisht për Palestinë dhe palestinez, por për arabë dhe izraelitë, popullsia arabe që jetonte në ato territore vetidentifikohej e tillë.
Ishte Jaser Arafati që u mundua të krijonte një identitet palestinez, në vitet 60′ e sidomos pas luftës së 1973 kur u pa që vendet fqinje arabe nuk kishin më ndërmend të sulmonin Izraelin.
Vetë ai shall i famshëm bardhezi që Arafati e përdori si simbol është një krijim i një gjenerali britanik Glubb Pasha në vitet 1950 për të bërë një dallim midis arabeve te rekrutuar në ish- mandatin britanik dhe arabëve të rekrutuar në Jordani. Origjinali është kufiah jordanez kuq i bardhë ashtu si dhe flamuri jordanez është përdorur si bazë për të bërë flamurin palestinez.
Vetëm 7% e rreth 2 milionë arabëve që jetojnë në Izrael e identifikojnë veten si palestineze. Shumica e identifikojnë veten si arabë apo arabo-izraelite.
Nga përplasjet 50 vjeçare midis vetë palestinezëve me Izraelin, deri para sulmit në tetor 2023, kishte rreth 2 mijë viktima nga ana e Izraelit dhe 12 mijë viktima nga ana e palestinezëve. Shumica dërrmuese kanë ndodhur gjatë konfliktit në Libanin e Jugut me OÇP dhe në dy Intifadat. Nëse dikush do ta marrë mesatarisht i bie rreth 40 izraelite dhe 240 palestineze të vrarë në vit. Për krahasim në Shqipëri që është sa gjysma e popullsisë se Palestinës ndodhin mesatarisht rreth 50 vrasje në vit.
Popullsia arabe që jeton në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor ka qenë rreth 900 mijë banorë në 1950 dhe sot është 5 milionë banorë, me një nga rritjet demografike me të larta në botë, më shumë se 5 fishuar.
Në 2023, GDP per capita në Rripin e Gazes dhe Bregun Perëndimor ishte 3800 USD për banor, në nivele të ngjashme me fqinjët arabe në rajon, Siria para luftës civile 3000 USD, Libani 4100 USD, Jordania 4300 USD, Egjipti 4300 USD per banor. Për krahasim, një tjetër vend arab aty afër si Jemeni që lëshon raketa ndaj anijeve që i kalojnë pranë, ka një GDP për capita, 650 USD për banor dhe tashmë Siria pas luftës civile 420 USD për banor.
Deri në 2005 Izraeli kishte prezencë ushtarake në Rripin e Gazës të kapur nga Egjipti në luftën e 1967. Pas një marrëveshje me Autoritetin Palestinez (ish – OÇP) tërhoqi ushtrinë dhe 8000 civile izraelite që jetonin akoma aty duke ua dorëzuar territorin Autoritetit Palestinez. Në 2006 në Bregun Perëndimor dhe në Gaza u bënë zgjedhje ku në Bregun Perëndimor fitoi Autoriteti Palestinez dhe në Gaza fitoi Hamasi. Sapo fitoi zgjedhjet Hamasi filloi të ekzekutonte publikisht gjithë figurat politike të Autoritetit Palestinez. Nga 2006 e deri më sot nuk janë kryer më zgjedhje politike në Gaza.
Këto janë fakte të thjeshta që mund të lexohen e verifikohen lehtësisht në internet nga çdokush që merr mundimin të informohet e të flasë mbi temën mbi fakte të vërteta dhe jo duke u bazuar në video TikTokut, plot gënjeshtra, propagandë bajate, me slogane politike të ngjashme me para 90 dhe me fjalë të mëdha sensacionale të cilave as nuk ua dinë kuptimin.