Connect with us

Politike

Dita e Diasporës/ Basha ftesë emigrantëve: Vota juaj, fuqi për një Shqipëri të fortë

Në Ditën Ndërkombëtare të Emigrantëve, kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha  ka shkruar një mesazh mirënjohjeje për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, duke i etiketuar si ambasadorët më të fuqishëm të Shqipërisë.

Basha u shpreh se sfidat që kanë detyruar shumë shqiptarë të emigrojnë janë korrupsioni, mungesa e meritokracisë dhe kriza ekonomike. Ai shprehu besimin se ky realitet mund të ndryshojë dhe që Shqipëria mund të ofrojë mundësi më të mira për qytetarët e saj.

Për më tepër, Basha i ftoi emigrantët të bëhen pjesë e ndryshimit të kërkuar, duke u angazhuar në zgjedhjet e vitit 2025. Kreu i Demokratëve Euroatlantikë theksoi rëndësinë e votës për ndërtimin e një Shqipërie ku askush të mos ndihet i detyruar të largohet.

Postimi i plotë:

Në Ditën Ndërkombëtare të Emigrantëve, një përshëndetje me mirënjohje dhe respekt për të gjithë shqiptarët që, ndonëse larguar nga vendlindja, mbajnë gjithmonë Shqipërinë në zemër.

Ju, me punën, sukseset dhe përkushtimin tuaj, jeni ambasadorët tanë më të fuqishëm dhe forca që na frymëzon për një të ardhme më të mirë.

Emigrimi nuk duhet të jetë e vetmja mundësi. Për fat të keq, korrupsioni, mungesa e meritokracisë dhe e mundësive, kriza e shëndetësisë, degradimi i arsimit, cënimet e lirisë dhe të drejtave, kanë detyruar mijëra shqiptarë të lënë atdheun e tyre.

Por ky realitet mund të ndryshojë! Në vitin 2025, ju ftojmë të bëheni pjesë e ndryshimit. Vota juaj është fuqia për të ndërtuar një Shqipëri ku ju mund të ktheheni dhe jetoni me dinjitet, ndërsa të dashurit tuaj këtu të çlirohen nga ankthi dhe pasiguria ekonomike që i shtrëngon të mbijetojnë me kursimet që bujarisht dërgoni. 

Së bashku mund të rikthejmë shpresën dhe të ndërtojmë një të ardhme ku asnjë shqiptar të mos ndihet i detyruar të largohet! Votoni për një Shqipëri më të drejtë dhe më të fortë!

Advertisement