Connect with us

Kosova

Ditë e rëndë, në 24 orët e fundit dy vrasje në Kosovë

E mërkura në Kosovë ishte ditë e rëndë, ku brenda 24 orëve ndodhën dy vrasje. Një vrasje e rëndë ka ndodhur në Prishtinë, kur një grua është vrarë nga të shtënat me armë zjarri. Rastin e për Telegrafin e kishte konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinë, Flora Ahmeti. Ajo ka thënë se Policia e Kosovës ka marrë informatë rreth orës 20:20, për të shtëna me armë në rrugën “Dalip Alshiqi” në Sinidoll. Policia si dhe mjekët emergjent, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në një veturë kanë gjetur një person pa shenja jete. Vdekjen e viktimës (femër) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Sipas Ahmetit, mbështetur në informacionet e para, dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri. Policia në koordinim me prokurorinë, ka nisur hetim dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit. Ndërkaq, viktima është gruaja e Naim Murselit, këshilltar i Behgjet Pacollit. Pacolli ka publikuar foton e çiftit, duke theksuar se ndan dhimbjen me familjen e së ndjerës, Liridonës. Jo zyrtarisht raportohet se familja Murseli ishte cak i një plaçkitjeje. Ndërkaq, pas këtij rasti tragjik ku e vrarë mbeti një grua, një burrë ka humbur jetën pas plagëve të marra nga therja me thikë po në Prishtinë. Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 22:00, në rrugën “Ali Vitia”. Menjëherë pas marrjes së informatës në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore. Sipas Ahmetit, bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se nga arma e ftohtë (thikë) lëndime të rënda trupore, ka pësuar një person, i cili është dërguar për tretman mjekësor, në QKUK, nga ku jemi njoftuar se personi i lënduar nuk ka arrit të përballoj plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorin e shtetit, janë në kërkim të personit të dyshuarit (i identifikuar) si dhe kanë nisë hetim për ndriçimin, sqarimin e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me këtë ngjarje.

 

 

Advertisement