Connect with us

Kosova

Ditë e TURPSHME, gramafoni i prishur serb për ditën historike të Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçic, tha se 16 prilli është “ditë e turpshme në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, pasi shumica e deputetëve të saj, e mbështetën anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Me 131 vota për, 29 kundër dhe 11 abstenime, Asambleja Parlamentare e mbështeti anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës gjatë një seance plenare të martën në Strasburg.

Radiotelevizioni i Serbisë e citoi Daçicin të ketë thënë se Serbia do ta vazhdojë luftën e saj “me të gjitha forcat” në mënyrë që vendimi të mos miratohet në Komitetin e Ministrave më 16 maj.

“Ne do ta shohim vlerën e fjalës që bashkësia ndërkombëtare ia dha presidentit Aleksander Vuçic, se Kosova do të pranohej në Këshillin e Evropës vetem kur ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ndryshe do të jetë gënjeshtër përsëri” – deklaroi Ivica Dacic

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij, por Prishtina nuk e ka themeluar atë.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022 dhe bëri një hap përpara drejt anëtarësimit kur më 27 mars, Komisioni për Politikë dhe Demokraci i kësaj organizate e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku thuhet se Kosova i plotësoi kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e kësaj organizate ndërkombëtare.

Në dy raste, Serbia votoi kundër kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, megjithëse asaj i kërkohet të mos e kundërshtojë anëtarësimin e vendit fqinj në asnjë organizatë ndërkombëtare në përputhje me Marrëveshjen Bazë që palët e arritën në dialogut e ndërmjetuar nga BE-ja në shkurt të vitit 2023.

Advertisement