Connect with us

Bota

Ditë të vështira na presin/ Europa, më shumë e goditura

Europa e goditur më shumë se kushdo në botë nga ndryshimet klimatike

 Me përjashtim të Arktikut, Europa është kontinenti që është ngrohur më shumë gjatë 30 viteve të fundit. Këtë e zbulojnë të dhënat e raportit vjetor mbi gjendjen e klimës së kontinentit, hartuar nga programi hapësinor Copernicus për monitorimin e klimës dhe Organizata Botërore Meteorologjike e Kombeve të Bashkuara

Me më shumë se gjysmë gradë më shumë çdo dhjetë vjet për tre dekadat e fundit, temperaturat në kontinentin e vjetër janë rritur më shumë se dyfishi i mesatares globale. Nuk ka ndodhur në asnjë kontinent tjetër në botë.

Provat janë dramatike: midis viteve 1997 dhe 2021 akullnajat alpine humbën rreth 30 metra trashësi. Trendi është në rritje dhe problemi rritet në lartësi me kalimin e kohës.

Gjithashtu është dhe problemi i zjarreve: Evropa ka përjetuar një nga stinët më intensive të zjarreve në tridhjetë vitet e fundit. Por disa rajone, veçanërisht në Mesdheun juglindor, janë goditur më shumë se zakonisht për shkak të temperaturave të larta të vazhdueshme dhe thatësirës.

Megjithatë, edhe kur vijnë reshjet, në disa zona ato kanë qenë shkatërruese. Stuhitë e papritura kanë qenë më të shpeshta dhe më intensive. Përmbytjet që rezultuan me një numër të pallogaritshëm vdekjesh dhe lëndimesh në pjesë të Evropës Perëndimore dhe Qendrore në korrik 2021 nuk janë një dukuri e jashtëzakonshme, por një paralajmërim.

Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike, këto ngjarje të motit dhe klimës me ndikim të lartë kanë shkaktuar qindra vdekje në Evropë, duke prekur drejtpërdrejt më shumë se gjysmë milioni njerëz dhe duke shkaktuar mbi 50 miliardë dollarë dëme ekonomike.

Advertisement