Connect with us

Politike

“Djalli fshihet në detaje”, deputeti socialist tregon të pathënat për Samitin e Berlinit

Deputeti i Partisë Socialiste Etjen Xhafaj, ka folur rreth Samitit të Procesit të Berlinit të mbajtur këtë të hënë në Tiranë. Ai tha se asnjëherë nuk ka qenë fokus i procesit të Berlinit, çështja e Kosovës, ndërsa tregoi edhe arsyet se përse Bashkimi Europian ka pasur probleme sa i takon zgjerimit në vende të tjera. “Unë kam qenë në samitin e parë të Berlinit në 2014. Diskutimi atëherë, po ta kujtojmë se harrojmë shumë shpesh ne dhe djalli fshihet në detaje, diskutimi ishte 5+1 vendet e Ballkanit Perëndimor dhe synimi kryesor i kancelares Merkel me anë të gjithë procesit të Berlinit, ka qenë që të ishte një proces i cili bazuar në katër liritë themeltare, lëvizjen e lirë të njerëzve të kapitalit të mallrave dhe të njohurive, të mundësohej një shkëmbim me parimin e vjetër që në rrugën ku shkelin qerret e tregtarëve nuk shkelin çizmet e ushtarëve. Gjithë parimi fillestar ka qenë që të kishte një forum tjetër në të cilin ky rajon i cili kishte shumë herë më tepër probleme, se deri në momentin që u bë procesi i parë i Berlinit 6 liderët e Ballkanit Perëndimor nuk ishin mbledhur kurrë bashkë. Një nga arsyet kryesore se përse Bashkimi Europian ka pasur një lloj lodhje me zgjerimin, ka qenë së pari integrimi i Bullgarisë dhe Rumanisë dhe efekti që kjo pati në strukturën e atëhershme të Bashkimit Europian dhe së dyti problematikat e mbartura siç ka qenë ajo e Kroacisë dhe Sllovenisë për aksesin në detë dhe problematika të tjera që nga niveli kombëtar u ngritën në nivel të Bashkimit Europian dhe shkaktonin probleme të ndryshme”,-tha Etjen Xhafaj.

Advertisement