Connect with us

Bota

“Do hakmerremi”/ Trump nuk “trembet” para deklaratave të liderëve të Kinës, Kanadasë e Meksikës

Administrata e Presidentit Trump vazhdon të theksojë rëndësinë e vënies së tarifave për importet nga Kanadaja, Kina dhe Meksika. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias, të tre vendet kanë thënë se do të marrin masa hakmarrëse, ndonëse kanë lënë të kuptohet se janë ende të hapura për dialog dhe bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara.

Të martën hyjnë në fuqi tarifat që Shtetet e Bashkuara kanë vënë ndaj importeve nga Kanadaja, Kina dhe Meksika. Uashingtoni argumenton se këto vende nuk kanë bërë sa duhet për ndaluar hyrjen e fentanilit dhe emigrantëve të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara. Sekretarja e Sigurisë Kombëtare Kristi Noem, foli për këtë çështje një ditë më parë.

“Për këto vende ekziston mundësia që të pajtohen me presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe të bëhen partnere me ne për të trajtuar emigracionin e paligjshëm, për të pranuar shtetasit e tyre të futur ilegalisht në vendin tonë”.

Analistët thonë se tarifat mund të shkaktojnë rritjen e çmimit të perimeve dhe pjesëve të këmbimit për makinat, mes mallrave të tjera që blejnë amerikanët. Presidenti Trump tha të dielën në rrjetin “TruthSocial” se tarifat mund të kenë efekte të vogla negative.

 

 

Presidenti shkroi mes të tjerash: “A do të ketë efekte negative? Ndoshta po ndoshta jo. Por ne do ta bëjmë Amerikën të madhërishme përsëri dhe për këtë ja vlen të paguash çdo çmim”.

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, foli për këtë çështje në rrjetin televiziv NBC.

“Nëse rriten çmimet, kjo është për shkak të reagimit të individëve të tjerë ndaj ligjeve të Amerikës”. Kryeministri kanadez Justin Trudeau, njoftoi të shtunën masa hakmarrëse, përfshirë tarifa prej 25% për mallrat amerikane nëse hynë në fuqi tarifat amerikane. Sidoqoftë, zoti Trudeau ende shpreson tek bashkëpunimi dypalësh.

Ambasadorja e Kanadasë në Shtetet e Bashkuara, Kirsten Hillman, foli në emisionin “This Ëeek” të rrjetit ABC.

“Nga ato që po dëgjojmë nga Shtëpia e Bardhë, agjencitë tona, me çfarë po dëgjojmë nga Kina, po përpiqemi të kuptojmë situatën. Është e vështirë ta kuptojmë se çfarë mund të bëjmë më shumë, por padyshim jemi të hapur ndaj çdo sugjerimi”.

Presidentja e Meksikës Claudia Sheinbaum, bëri thirrje për bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë për të trajtuar sfidat e përbashkëta. Ajo shkroi në rrjetin X se vendi i saj është gati të vendosë masa hakmarrëse ndaj Shteteve të Bashkuara.

Kina njoftoi se do t’i sfidojë tarifat amerikane pranë Organizatës Botërore të Tregtisë, por nuk dha detaje se çfarë kundërmasash po shqyrton ndërsa i kërkoi Uashingtonit që të angazhohet në dialog./Voa/

Advertisement