Connect with us

Bota

‘Do ju kushtojë’/ Shtohen tensionet Turqi-Greqi

Tensionet në Mesdhe mes fqinjve në NATO, Turqisë dhe Greqisë, janë ndezur sërish pas deklaratës së grekëve se do të zgjerohen me 12 milje në Egje.

Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu kërcënoi të enjten Greqinë me hakmarrje nëse Athina vazhdon me ndonjë zgjerim të ujërave të saj territoriale në Egje.

“Pozicioni ynë është i qartë, s’ka 12 milje. Mos bëni heroizma të kota, duke u besuar atyre që mund të keni mbi kokë. Mos bëni aventura, se nuk do të përfundojë mirë për ju!, tha kryediplomati turk Çavuşoğlu.

Turqia solli në vëmendje një vendim të vitit 1995 që paralajmëron se nëse Greqia zgjeron ujërat e saj territoriale në Egje përtej 6 miljeve, Parlamenti do t’i japë “të gjitha kompetencat”, përfshirë fuqitë ushtarake, qeverisë për të mbrojtur interesat e Turqisë.

Turqit kishin kritika edhe për Uashingtonin dhe Brukselin mbi tensionet në Mesdhe. Çavuşoğlu tha se SHBA ka humbur ekuilibrin në Greqi dhe në çështjen e Qipros, duke shtuar se furnizimi i Greqisë me armë është një treguesi i qartë, ndërsa kritikoi edhe Bashkimin Evropian për dështimin për të mbajtur një qëndrim neutral përballë aleatëve të NATO-s, Greqisë dhe Turqisë.

Në reagim të këtij kërcënimi të fortë të diplomacisë turke, grekët janë përgjigjur se nuk frikësohen apo terrorizohen.

“Qeveria greke zbaton të drejtën ndërkombëtare dhe sheh interesin e saj kombëtar si përcaktues të vetëm. Sjellja e saj nuk përcaktohet nga të tjerët, në asnjë mënyrë, aq më pak kur bëhet fjalë për të drejtat tona sovrane,” tha zëdhënësi i qeverisë Oikonomou, duke shtuar se “kjo strategji kërcënimesh dhe sfidash e ndjekur nga Turqia nuk çon askund. Do të ishte e dobishme që zyrtarët turq të ndaleshin, ishte apeli i tij.

Turqia dhe Greqia kanë mosmarrëveshje për disa çështje, duke përfshirë pretendime në Mesdheun Lindor, pretendimet për shelfin kontinental, kufijtë detarë, hapësirën ajrore, energjinë, ishullin e ndarë etnikisht të Qipros, statusin e ishujve në detin Egje si dhe emigrantët.

Advertisement